196 aksidente gjatë muajit qershor në Ferizaj e rrethinë
1

196 aksidente gjatë muajit qershor në Ferizaj e rrethinë

Gjatë muajit qershor 2025, në rajonin e Ferizajt, që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, janë regjistruar gjithsej 196 aksidente rrugore. Nga këto, 3 kanë qenë fatale, duke rezultuar në vdekjen e 3 personave, ndërsa 88 aksidente kanë shkaktuar lëndime me gjithsej 126 të lënduar. Gjithashtu, 105 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin raportuar 150 aksidente, me 1 aksident fatal dhe 1 të vdekur, 67 aksidente me lëndime (ku u lënduan 96 persona) dhe 82 aksidente me dëme materiale, shihet një rritje prej rreth 30% në numrin total të aksidenteve në vitin 2025, shkruan AutoPortali.

Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar gjithashtu 5.847 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit gjatë qershorit të këtij viti, si dhe ka marrë masën e heqjes së patentës për 98 drejtues automjetesh për shkelje të rënda. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, numri i gjobave ishte 5.313, që përbën një rritje prej mbi 10% në vitin 2025.

Policia Rajonale e Ferizajt është e përkushtuar të vazhdojë me përpjekje të shtuar dhe aktivitete preventive për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë në rrugë.

Apelohet tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën dhe rregullat e trafikut, në mënyrë që të ruajnë jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

Po ashtu, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

TË FUNDIT