Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 22 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, prej të cilave 5 janë ende aktive, ndërsa një ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm.
Zjarret janë evidentuar në bashkitë Dibër, Bulqizë, Rrogozhinë, Kavajë, Vlorë, Himarë, Selenicë, Librazhd, Malësi e Madhe, Mallakastër dhe Mirditë, transmeton AutoPortali.
Situata në qarqet me zjarre aktive:
Qarku Dibër
Në Parkun Kombëtar Lurë, pranë “Liqenit të Luleve”, po vijon puna për shuarjen e një zjarri në pyll me pisha dhe livadh. Një vatër tjetër u riaktivizua në “Mali i Peladhisë”, në njësinë administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Zjarri, i favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, është zhvilluar në dy vatra dhe po përhapet drejt “Majës së Vlashës”. Në terren ndodhen 8 efektivë të Shërbimit Vendor të MZSH në Bulqizë, por situata nuk është ende nën kontroll. Nuk ka rrezik për banesa.
Në fshatin Sinë e Sipërme, bashkia Dibër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll dushku. Ndërhyrja vazhdon nga 5 efektivë të MZSH Dibër dhe 6 forca bashkiake me pompa shpine dhe mjete të tjera. Deri tani janë djegur rreth 4 hektarë dhe puna për fikjen e zjarrit vazhdon.
Qarku Tiranë
Zjarri i rënë më 10 korrik në fshatin Zambishë, i përhapur në fshatrat përreth të bashkisë Rrogozhinë, vazhdon të jetë problematik. Mbrëmë zjarri mori përmasa të mëdha, veçanërisht në zonat Thartor, Sheshaj, Prendaj dhe Dakaj. Për fikjen janë angazhuar dy helikopterë të Forcave të Armatosura, të cilët ndihmuan në fikjen e disa vatrave që rrezikonin banesa, ullishte dhe pyje me pisha.
Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të bashkisë Rrogozhinë me 6 automjete, 30 efektivë, 20 punonjës bashkiakë, 20 banorë lokalë dhe dy helikopterë të FA-së. Janë djegur rreth 80-90 hektarë shkurre dhe ferra si dhe mbi 70 rrënjë ullinj, të rinj dhe shekullorë.
Qarku Fier
Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, duke djegur rreth 2.5 hektarë dhe rreth 250 rrënjë ullinj. Sot është riaktivizuar një vatër e zjarrit, ku po punojnë forcat e MZSH dhe strukturat bashkiake me pompa shpine.
Në monitorim:
Qarku Elbasan
Në “Mal Plak”, bashkia Librazhd, zjarri në pyje është me intensitet të ulët dhe është nën monitorim nga strukturat vendore.
Pasojat dhe angazhimet:
Në total, zjarret kanë përfshirë mbi 107 hektarë me shkurre dhe bimësi, duke djegur rreth 100 rrënjë ullinj. Në fshatin Dragovoje të Malësi e Madhe janë djegur edhe 3 objekte që përdoren për mbajtjen e bagëtive.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 25 automjete zjarrfikëse dhe 305 forca operacionale. Forcat e Armatosura kontribuan me 30 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë.
Parashikimet e motit dhe këshilla:
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të lokalizuara në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër. Për zjarret në pyje, rreziku është vlerësuar “i lartë” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa “i moderuar” në qarqet e tjera.
Në disa zona specifike të qarqeve Shkodër (jug), Durrës (verilindje) dhe Vlorë (veri), rreziku i zjarrit mbetet i lartë, veçanërisht gjatë ditës së nesërme.
Apeli i Ministrisë:
Strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe vazhdojnë punën pa ndërprerje për koordinimin dhe ndërhyrjen në shuarjen e çdo vatre zjarri. Ministria e Mbrojtjes bën thirrje për kujdes maksimal dhe kërkon nga qytetarët të njoftojnë menjëherë në rast zjarresh të reja në terren. /AutoPortali



