Temperaturat e larta dhe era e fortë po vështirësojnë situatën me zjarret në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, të përhapura në 15 bashki të ndryshme të vendit.
Zjarret janë evidentuar në Elbasan, Durrës, Vlorë, Finiq, Selenicë, Himarë, Delvinë, Skrapar, Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Korçë dhe Lezhë.
Aktualisht, 2 vatra zjarri mbeten aktive, ndërsa strukturat zjarrfikëse, forcat e armatosura dhe vullnetarë lokalë po vazhdojnë ndërhyrjet në terren, transmeton AutoPortali.
Zjarri në landfillin e Elbasanit: Përpjekje të pandërprera prej më shumë se 24 orësh
Situata më problematike vijon të mbetet në vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan, ku flakët nuk janë izoluar ende, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme.
Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse nga Elbasani, Cërriku, Peqini dhe Kamza, me 5 automjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, të mbështetur nga 4 mjete të rënda të bashkisë. Në ndihmë kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura me 2 automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë.
Gjatë natës, 6 mjete të rënda, 5 fadroma dhe 1 eskavator të bashkisë Elbasan, së bashku me 7 mjete të rënda nga subjektet private, kanë punuar për të kontrolluar situatën, por zjarri vijon të jetë aktiv.
Edhe sot, ndërhyrjet vazhdojnë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të Elbasanit, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe një traktor me zinxhirë nga Forcat e Armatosura. Në ndihmë janë nisur edhe 3 automjete zjarrfikëse nga bashki të tjera.
Zjarri në Finiq përhapet në Malçan: Rrezik për pyjet me pisha
Një tjetër vatër aktive është në fshatin Grazhdan, njësia Livadhja, bashkia Finiq, ku flakët kanë përfshirë shkurre dhe barishte, por gjatë natës janë përhapur edhe në fshatin Malçan, në një zonë me pyje me pisha.
Në operacion janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, përkrah forcave vullnetare dhe stafit të bashkisë. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja ka qenë sfiduese. Gjatë natës, 1 automjet zjarrfikës me 3 efektivë qëndroi në monitorim, por për shkak të përkeqësimit të situatës, në mbështetje shkuan edhe 4 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë nga bashkitë Himarë, Sarandë, Delvinë dhe Konispol.
Sot në terren janë 6 forca nga shërbimi pyjor dhe 12 vullnetarë, të angazhuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Në të gjitha operacionet për shuarjen e zjarreve, janë angazhuar gjithsej:
- 32 automjete zjarrfikëse
- 255 forca operacionale
- 2 helikopterë
- 40 efektivë të Forcave të Armatosura me 5 mjete zjarrfikëse dhe një traktor me zinxhirë
Paralajmërimi për rrezikun e lartë nga zjarret: Temperaturat deri në 40°C
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa pjesa tjetër e vendit ndodhet në nivel rreziku të moderuar.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, çka shton rrezikun për shpërthimin e vatrave të reja zjarri.
Thirrje qytetarëve: Kujdes maksimal dhe raportim i menjëhershëm
Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë, duke u bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.
“Të shmanget ndezja e zjarreve në natyrë, djegia e mbetjeve dhe hedhja e objekteve të ndezshme. Çdo rast zjarri të raportohet menjëherë tek strukturat vendore për të marrë masa në kohë,” apelon Ministria. /AutoPortali




