684 forca në terren kundër zjarreve, 9 vatra ende jashtë kontrollit
6

684 forca në terren kundër zjarreve, 9 vatra ende jashtë kontrollit

Shqipëria vijon të përballet me situatë të rënduar nga zjarret në shumë qarqe të vendit. Ministria e Mbrojtjes njofton se në 24 orët e fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive dhe 1 nën monitorim. Deri tani janë djegur mbi 32 hektarë me shkurre, pyje dhe bimësi.

Zjarret janë përhapur në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Vlorë, Elbasan, Belsh, Kurbin, Devoll, Korçë, Maliq, Përmet, Shijak dhe Malësi e Madhe.

Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga ushtria dhe avionë zjarrfikës nga Italia dhe Greqia, vijojnë të operojnë në terren, transmeton AutoPortali.

Zjarr më problematik në Lurë dhe Vlorë

Në Parkun Kombëtar të Lurës, qarku Dibër, flakët vijojnë në tre vatra: mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave. Për shuarjen janë angazhuar forcat operacionale, 30 ushtarë të FA-së dhe një avion “Canadair” nga Italia.

Në qarkun Vlorë, zjarri në “Qafën e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, mbetet intensiv. Flakët kanë përfshirë edhe kurorën e pyllit me pisha, të favorizuara nga era. Në operacion janë përfshirë 2 avionë “Canadair” nga Greqia, 30 ushtarë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Vatra të tjera problematike

Në Mat, flakët vijojnë në Ulëz dhe Zall Gjoçaj, në një zonë të thellë pyjore me pisha dhe ah, ku ndërhyrja me mjete është pothuajse e pamundur. Në Elbasan, digjet pylli i gështenjave në fshatin Shmil, ndërsa në Lezhë, zjarri në afërsi të tunelit të Shkopetit u shmang nga banesat falë ndërhyrjes ajrore.

Në qarkun Korçë janë ende aktive vatrat në fshatrat Vernik dhe Dishnicë, ndërsa në Përmet, forcat janë përqendruar në fshatin Kutal. Rrezik për banesa nuk raportohet.

Në Bulqizë, në fshatin Strikçan, një vatër zjarri është vendosur në monitorim nga zjarrfikësit lokalë.

684 forca operacionale në terren

Ministria bën të ditur se në total janë angazhuar 684 forca operacionale, 51 automjete zjarrfikëse, 185 efektivë të FA-së me 19 mjete ushtarake dhe 2 helikopterë. Puna në terren po vijon pa ndërprerje, në kushte të vështira terreni dhe me rrezik të lartë për përhapje të zjarreve.

Sipas IGJEUM, në të gjithë vendin pritet nivel i lartë rreziku për zjarre, me përjashtim të qarkut Durrës ku rreziku është i moderuar, por pritet të rritet ditën e nesërme.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo vatër të dyshimtë zjarri pranë strukturave përkatëse. Strukturat e mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri të plotë. /AutoPortali

TË FUNDIT