Zinedine Zidane vijon të qëndrojë pa një ekip, pasi ka refuzuar disa oferta kohët e fundit, teksa e afronin si trajner i disa ekipeve “big” në Evropë. Në një intervistë dhënë për “Carré”, Zizu pranon se i mungon përditshmëria e trajnerit.
Kur francezi ishte në bankinën e Real Madridit, ai fitoi dy La Liga, dy Superkupa të Spanjës, tre Champions League, dy Superkupa UEFA dhe dy Kupa të Botës për klube. Një listë e gjatë, por super prestigjioze, që ia vlen të theksohet, teksa më 30 qershor 2021 vendosi të largohej dhe të tërhiqej përkohësisht.
“Tani jam i zënë në një mënyrë tjetër. Ndonjëherë më mungon përditshmëria, fusha dhe të stërviturit. Edhe nëse përditshmëria si trajner është ‘e nxehtë’, e lodhshme dhe kërkon shumë përkushtim. Kam bërë një pushim që ka zgjatur disi”, komenton Zinedine Zidane.

Më pas, gjatë intervistës Zidane foli gjerësisht për marrëdhëniet e tij me Marsejën, vendlindjen e tij.
“Për mua, Marseja është kryeqyteti i futbollit dhe gjithashtu i sportit. La Castellane? Shumë sportistë kanë ardhur nga kjo lagje. Prandaj do të më pëlqente të shoh më shumë lojtarë te Marseja të ardhur nga lagjet. Ai mbetet ekipi im i zemrës”.



