Spanja ka fituar me rezultat bindës 3-0 ndaj Kroacisë, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B.
Golin e epërsisë për spanjollët e shënoi Alvaro Morata i cili në minutën e 29-të u gjend në një situatë ballë për ballë me portierin Livakovic dhe nuk dështoi për të shënuar për rezultatin 1-0.
Spanja nuk u ndal më kaq dhe vetëm disa minuta më vonë arriti të shënojë edhe golin e dytë në këtë sfidë.
Këtë herë ishte radha e Fabian Ruiz i cili në minutën e 32-të bëri një gjuajtje të fortë duke e lënë pa asnjë mundësi reagimi portierin kroat për rezultatin 2-0.
Spanja e gjeti edhe golin e tretë në fund të pjesës së parë me anë të Dani Caravjal i cili shënoi për 3-0 pas asistimit nga Lamine Yamal.
Në minutën e 79-të Kroacia fitoi penallti pas një ndërhyrje të palejueshme të Rodrit brenda zonës.
Nga pika e bardhë fillimisht dështoi të shënojë Bruno Petkovic, por nga topi i kthyer ai u shërbye nga një bashkëlojtar për ta çuar topin në rrjetë.

Goli më pas u anulua nga gjyqtari Michael Oliver i cili sinjalizoi se ishte i parregullt dhe rezultati kështu mbeti 3-0.
Ndeshjen e ardhshme Spanja do ta luajë të enjten ndaj Italisë, ndërsa Kroacia do të përballet me Shqipërinë të mërkurën.



