Gjermania dëshmohet edhe më shumë si pretendente për të triumfuar në “EURO 2024”, pasi bëhet kombëtarja e pare që siguron kalimin e fazës së grupeve për në 1/8 finale. Natyrisht, si kombëtare mikpritëse e garës, ajo ka mbështetjen e madhe të tifozërisë, por edhe në fushën e lojës ka demonstruar potencial.
Pasi “shkatërroi” Skocinë 5-1 në hapje të Evropianit, Kombëtarja gjermane ka mposhtur Hungarinë 2-0. Nga një gol në secilën pjesë. Musiala (22’) dhe Gundogan (67’) kanë mjaftuar për të shtuar tri pikë të tjera në llogarinë e gjermanëve, të cilët kryesojnë Grupin A me pikë të plota (6).
Golaverazhi pozitiv 7-1 tregon se kjo Gjermani ka për të ecur përpara si mikpritëse e Evropianit, duke e shfrytëzuar këtë faktor, por edhe kthimin e “regjisorit” Toni Kroos, talentin e Musiala, sigurinë e portierit Neuer dhe ndërthurjen mes të rinjve e veteranëve. Kuptohet, deri më tani, dy kundërshtarët kanë qenë më të lehtët në letër për kombëtaren e Nagelsmann, por indiciet e dhëna janë mjaft optimiste.



