Hyundai nuk po e kufizon të ardhmen e divizionit të saj sportiv N vetëm tek makinat elektrike. Shefi i këtij divizioni, Joon Park, ka deklaruar për revistën britanike Car se prodhuesi koreano-jugor po shikon përtej automjeteve tërësisht elektrike për gjeneratën e ardhshme të modeleve N.
Sipas AutoWeek, modeli më i ri që i bashkohet kësaj linje është Ioniq 6 N, një version sportiv i makinës elektrike, që trashëgon efektet zanore të motorit dhe ndërrimin e simulueshëm të shpejtësive nga Ioniq 5 N.
Por për adhuruesit e vërtetë të sportivëve klasikë, kjo mund të mos jetë zëvendësuesi ideal i i20 N, transmeton AutoPortali.
“Hyundai N duhet të jetë i arritshëm”, tha Park për Car. Ai e pranon se çmimet e larta të modeleve elektrike N janë jashtë mundësive për shumë prej blerësve të dikurshëm të i20 N dhe i30 N në tregun britanik dhe atë evropian.

Performancë e përballueshme
Sipas burimeve të Car, Hyundai është duke zhvilluar sisteme të reja hibride për të ardhmen e modeleve sportive, duke synuar që këto të zëvendësojnë i20 N dhe i30 N. Motori aktual 2.0 turbo me katër cilindra, që përdoret në Elantra N në SHBA, nuk përputhet më me rregulloret e reja në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian.
Ndikimi në tregun amerikan
Ndonëse kjo lëvizje pritet të ketë ndikim të kufizuar në SHBA – ku modeli më i afërt me i30 është Elantra – nuk përjashtohet që modelet hibride performante të nën-brendit N të eksportohen edhe atje.
Në pritje mbetet të shihet sesi Hyundai do të zhvillojë më tej divizionin e tij sportiv, duke integruar mësimet e nxjerra nga makinat elektrike në modelet hibride që pritet të sjellin një kombinim të ri mes efikasitetit dhe performancës. /AutoPortali




