Nga parajsë turistike në vijë alarmi, rritja e detit kërcënon Barcelonën
N

Nga parajsë turistike në vijë alarmi, rritja e detit kërcënon Barcelonën

Stuhitë gjithnjë e më të forta dhe ngritja e nivelit të detit po ndryshojnë me ritme alarmante vijën bregdetare të Barcelonës, duke rrezikuar jo vetëm turizmin lokal, por edhe jetesën e përditshme të banorëve.

Ana García, e cila prej vitesh kalon verën me vajzën në një kasolle buzë detit në Montgat – vetëm 30 minuta nga qendra e Barcelonës – thotë se ditët e verës në këtë vend mund të jenë të numëruara.

“Është shqetësuese. Po përkeqësohet dhe nuk ka asnjë shenjë se do ndalet. Bashkëjetesa jonë me detin është në rrezik,” thotë ajo, shkruan Euronews.

Bregdeti i Montgat, pjesë e rajonit të quajtur “Maresme”, dikur i njohur për peshkim, nisi transformimin e tij në vitin 1986 kur Barcelona u përzgjodh për të pritur Lojërat Olimpike të vitit 1992. Plazhet u ndërtuan artificialisht, duke kthyer zonën në një destinacion turistik të nivelit europian.

Por sot, ndryshimet klimatike po e kthejnë përmbys këtë sukses. Ngritja e nivelit të detit dhe stuhitë e fuqishme veçanërisht gjatë stinëve të ftohta po gërryejnë bregun. Në prill të vitit 2024, dallgët arritën deri në 5 metra lartësi dhe zhdukën pjesë të tëra të plazhit në Montgat.

Pas dëmeve u vendos një brez shkëmbinjsh për të mbrojtur shtëpitë buzë detit, por vetëm një e treta e plazhit mbeti, transmeton AutoPortali.

“Nuk mjafton më vetëm të hedhim rërë. Duhet të ndalojmë humbjen e saj,” tha Ramon Torra, drejtues i Zonës Metropolitane të Barcelonës. Ai thekson se ndërtimi i strukturave mbrojtëse, si molët dhe thyerëset e dallgëve, është i domosdoshëm.

Sipas shërbimit Copernicus të BE-së, Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë. Në bregdetin katalanas, niveli i detit është rritur me 14 centimetra në 25 vjet, ndërsa valët janë mesatarisht 30 cm më të larta.

Profesori Agustín Sánchez-Arcilla nga Universiteti Politeknik i Katalonisë thotë se ngritja e nivelit të detit është tashmë katërfishuar krahasuar me vitet ’90. Sipas tij, veprimi për përshtatjen ndaj klimës nuk mund të shtyhet më.

Autoritetet llogarisin se do të nevojiten të paktën 60 milionë euro për të stabilizuar 42 kilometrat e vijës bregdetare metropolitane, pa përfshirë shpenzimet e mirëmbajtjes pas çdo stuhie.

Ndërkohë, bizneset lokale që mbijetojnë falë turizmit veror janë të alarmuar. José Luís Vélez, një pensionist që prej vitesh frekuenton një lokal buzë plazhit, thotë: “Ka qenë fantastike, por deti ka filluar të hajë të gjithë rërën. Askush nuk po ndërmerr hapa seriozë. Po mendojmë se kjo mund të ketë afat skadence.”/AutoPortali

TË FUNDIT