Sipas raportimeve nga Washington Post dhe New York Times, Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) është duke shqyrtuar një propozim për të anuluar një vendim historik të vitit 2009, i cili përcaktonte se emetimet e gazrave serrë përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut një bazë ligjore që i hapi rrugën rregullimit të ndotjes nga automjetet dhe termocentralet.
Dy burime të njohura me çështjen i thanë Washington Post-it se vendimi në fjalë është i njohur si “gjetja e rrezikshmërisë” (endangerment finding).

Ky dokument i vitit 2009 e përcaktonte zyrtarisht se emetimet e dëmshme, përfshirë ato nga makinat dhe termocentralet, janë të rrezikshme për shëndetin dhe mirëqenien publike, dhe i dha EPA-s bazën për t’i rregulluar ato përmes Aktit për Ajër të Pastër.
Sipas burimeve shkruan Autoblog, ideja për të anuluar këtë vendim është një prej objektivave të administratës aktuale të EPA-s, e udhëhequr nga Zeldin.
Ndonëse vendimi mbetet ende në formë drafti dhe mund të pësojë ndryshime, nëse miratohet, do të anulonte të gjitha kufizimet ekzistuese mbi emetimet e gazrave serrë nga automjetet.
Në një deklaratë për Washington Post, EPA konfirmoi se propozimi i është dërguar Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit më 30 qershor.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje për përmbajtjen e draftit. Dokumenti do të publikohet për konsultim publik pasi të kalojë shqyrtimin ndërinstitucional. /AutoPortali



