Virgil van Dijk ka ndarë detaje të një telefonate private me Florian Wirtz, përpara se ylli i ri gjerman të finalizonte transferimin e tij spektakolar te Liverpooli këtë verë.
Sipas kapitenit të “The Reds”, pikërisht atmosfera dhe ndjenja unike në klubin nga Anfield ishin faktorët vendimtarë që e bindën mesfushorin ofensiv t’i bashkohej projektit të ri, transmeton AutoPortali.
Liverpool ka qenë ndër klubet më aktivë në merkaton e kësaj vere, duke përforcuar skuadrën me emra të rinj e premtues.
Pjesa më e madhe e vëmendjes ka qenë padyshim rreth transferimit të Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen, një lëvizje që i kushtoi klubit anglez plot 116 milionë euro, duke mposhtur konkurrencën e fortë nga Manchester City dhe Bayern Munich.
Wirtz, i cili ka shkëlqyer në Bundesliga, tashmë ka lënë përshtypjet e para te tifozët e Liverpoolit me paraqitjen e tij në një ndeshje miqësore me dyer të mbyllura kundër Stoke City.
Ai pritet të marrë më shumë minuta edhe gjatë turneut parasezonal që klubi do të zhvillojë në Azi.
Gjatë një konference për shtyp para miqësores ndaj Milanit këtë fundjavë, Van Dijk foli hapur për ndikimin e tij në këtë transferim të bujshëm.
“Kur u bashkova me klubin, kam thënë: nuk ka një vend më të mirë për të qenë sesa Liverpool. E ndjej me të vërtetë kështu,” tha mbrojtësi holandez.
“Kur Florian foli me klubin dhe me disa lojtarë, fola edhe unë me të. Jam i sigurt se ai e ndjeu atmosferën, dhe pastaj mori vendimin. Duke ardhur këtu, ai mund të ketë me të vërtetë ndikim.”
Van Dijk theksoi se vendimi final i përkiste vetë lojtarit, por mesazhi i tij ishte i qartë dhe i sinqertë:
“I fola, i thashë: ‘Liverpool është vendi ku duhet të jesh.’ Dhe tani është në vendin e duhur. Tani gjithçka varet nga ai – nga mënyra se si e tregon veten çdo ditë.”
Me Wirtz tashmë pjesë të skuadrës dhe me ambiciet e Liverpoolit për të rikthyer lavdinë në nivel vendas dhe evropian, të gjitha sytë do të jenë te mesfushori 21-vjeçar për të parë nëse do ta përmbushë potencialin që e ka bërë një nga emrat më të kërkuar të Evropës. /AutoPortali




