“Travel and Tour World”: Shqipëria, destinacion i përballueshëm dhe i larmishëm

“Travel and Tour World”: Shqipëria, destinacion i përballueshëm dhe i larmishëm

Turizmi në Shqipëri po evoluon gjithnjë e më tepër, ndërsa preferencat e vizitorëve ndryshojnë. Edhe pse hyrjet e turistëve të huaj u rritën, çmimet e hoteleve dhe strukturave akomoduese po përshtaten për të tërhequr udhëtarë më të kujdesshëm ndaj buxhetit, që kërkojnë përvoja përtej pushimeve në plazh.

Kështu nis artikulli analitik i mediumit më të madh amerikan të udhëtimeve “Travel and Tour World” për Shqipërinë, i cili përshkruan me detaje sektorin e turizmit nga jugu në veri.

Sipas operatorëve të hoteleve dhe ofruesve të tureve, vizitorët e huaj janë më pak të interesuar të kalojnë ditë të gjata në plazh, duke preferuar në vend të kësaj të eksplorojnë destinacione më të larmishme të vendit, me çmime të përballueshme. Gjithashtu, këta vizitorë janë të përqendruar në eksplorimin e bukurisë natyrore, historisë dhe kulturës së vendit.

Rajone si Saranda, Ksamili dhe Himara, të cilat tradicionalisht kanë një kërkesë të lartë gjatë verës, i janë përgjigjur këtij ndryshimi duke ulur çmimet e tyre. Në artikullin e “Travel and Tour World” shkruhet se Ksamili, një destinacion i preferuar për familjet, ka parë një ndryshim të çmimeve këtë vit, duke e bërë më të lehtë për familjet të shijojnë pushime më të gjata.

Një zonë tjetër bregdetare që nuk ka pasur luhatje të çmimeve është Durrësi dhe Golemi, që kanë ruajtur reputacionin e tyre për ofrimin e shërbimeve. Durrësi, sipas mediumit më të madh amerikan të udhëtimeve, vazhdon të tërheqë turistë vendas dhe ndërkombëtarë, falë kombinimit të çmimeve të përballueshme dhe opsioneve të larmishme të akomodimit. Rajoni përfiton gjithashtu nga turizmi i organizuar, i cili siguron një fluks të qëndrueshëm vizitorësh.

Në fokus të analizës turistike të “Travel and Tour World” është edhe Shqipëria veriore, përkatësisht zonat bregdetare si Shëngjini dhe Velipoja, të cilat po zhvillohen gjithashtu, ku, edhe pse me investime në ambiente të reja e të përmirësuara, ato mbeten të përballueshme, veçanërisht për ata nga Shqipëria dhe Kosova, por edhe të huajt që kërkojnë zgjedhje më ekonomike.

Në fund të artikullit analitik të mediumit amerikan të udhëtimeve “Travel and Tour World” nënvizohet se, për udhëtarët që kërkojnë një përvojë të pasur kulturore me çmime të përballueshme, Shqipëria mbetet një destinacion tërheqës, falë bukurive natyrore, vendeve historike dhe kostove të ulëta të akomodimit. /AutoPortali

 

TË FUNDIT