Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi sot një inspektim në qendrën shëndetësore verore në Golem, një nga 36 qendrat e hapura përgjatë vijës bregdetare dhe zonave me fluks të lartë pushuesish.
Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi punën e stafit mjekësor dhe infrastrukturën e krijuar për të përballuar kërkesat në sezonin turistik, duke theksuar rëndësinë e këtyre strukturave për ofrimin e shërbimit të shpejtë dhe pranë qytetarëve.
“Qendrat shëndetësore verore u hapën pikërisht për të shmangur ecejaket në spitalet kryesore dhe për të dhënë ndihmë të menjëhershme në raste emergjente apo nevoja të tjera”, deklaroi Koçiu. Ajo nënvizoi se shërbimet ofrohen falas për të gjithë, pa dallim nëse janë rezidentë apo jo në Shqipëri.
Ministrja bëri thirrje edhe përfshirjes së të rinjve të sapodiplomuar në mjekësi në këto qendra, si mundësi për përvojë praktike dhe trajnim në terren.
Qendra e Golemit ka pranuar mbi 3,000 vizita që nga 1 qershori dhe do të vijojë të operojë deri në fund të gushtit.
Koçiu vuri në dukje gjithashtu infrastrukturën moderne dhe pajisjet e nevojshme për ofrimin e një shërbimi cilësor.
Qendrat shëndetësore verore mbeten një hallkë kyçe në zinxhirin e ndihmës së shpejtë për pushuesit dhe turistët gjatë sezonit turistik. /AutoPortali



