Plazhet e Evropës në alarm, turma, ndotje dhe zhgënjim për turistët
P

Plazhet e Evropës në alarm, turma, ndotje dhe zhgënjim për turistët

Plazhi Bournemouth në Mbretërinë e Bashkuar është plazhi më i kritikuar i Europës, sipas një raporti të bazuar në komentet e përdoruesve të TripAdvisor.

Çdo vit, miliona njerëz dynden drejt destinacioneve bregdetare më të famshme të kontinentit, në kërkim të arratisjes ideale. Por për shumëkënd, realiteti nuk përputhet me imazhet perfekte të rrjeteve sociale, shkruan Euronews, transmeton AutoPortali.

Një raport i ri i kompanisë së teknologjisë cloud Cloudwards tregon se plazhet europiane janë ndër më të kritikuarat në botë veçanërisht për mbipopullim. Analiza, e bazuar në komentet për 200 nga plazhet më të vizituara në botë, përdori filtra fjalësh për të identifikuar ankesat më të shpeshta.

Nga rërat e mbushura përplot në Sardenjë, te festat pa fund në Greqi, raporti zbulon kontrastin mes fotove “Instagram-ike” dhe realitetit në terren.

Europa dominon listën botërore për mbipopullim

Për ata që kanë ecur kilometra të tëra për të gjetur një hapësirë të lirë në rërë, ose kanë ndarë detin me një flotilje flamingosh dhe njëbrirësh plastikë, ky rezultat nuk është surprizë: tetë nga dhjetë plazhet më të kritikuara për mbipopullim ndodhen në Europë.

Bournemouth në Mbretërinë e Bashkuar kryeson listën në Europë dhe renditet i pesti në botë, me ankesa të shpeshta për pastërtinë dhe turmat. Por Italia qëndron edhe më keq sa i përket dendësisë së pushuesve.

La Pelosa në Sardenjë një gjysmë ishulli mahnitës me ujëra turkeze – zuri vendin e parë në botë për ankesat mbi mbipopullimin, me afro 87% të komenteve negative që përmendin problemin e turmave. “Ishte një mëngjes i zakonshëm i shtatorit, por turma i ngjante Londrës, Nju Jorkut apo Sidneit natën e Vitit të Ri,” shkruan një vizitor.

Spiaggia La Cinta, një shtrirje 5 km me rërë të bardhë të rrethuar nga shkurre dëllinjash dhe duna, mori vendin e dytë në këtë kategori. Pas tyre vijnë Praia da Falésia në Portugali, Cala Comte në Ibiza dhe Konnos Bay në Qipro të përshkruara shpesh si “copëz parajse ishullore”, pavarësisht hapësirës së kufizuar.

Plazhet greke: më të ndoturat, më të zhurmshmet – dhe më të vizituarat

Greqia qëndroi më mirë se disa destinacione të tjera përsa i përket mbipopullimit, por spikati në kategori të tjera.

Laguna Balos në Kretë u rendit e 26-ta në botë dhe e 7-ta për ndotje, me gati gjysmën e ankesave për pastërtinë dhe 40% për turmat.

Elafonissi, gjithashtu në Kretë, e famshme për rërën rozë dhe ujërat e cekët, u rendit e shtata në botë për ankesa, me mbi 70% të komenteve negative që përmendin mbipopullimin.

Porto Katsiki në Lefkada hyri në dhjetëshen botërore për zhurmën dhe shqetësimet. Megjithatë, në listën “50 Plazhet më të Mira në Botë” për vitin 2025, ky plazh mban vendin e 36-të – një shembull se si popullariteti i madh mund të rëndojë mbi destinacionet natyrore.

Si u përpiluan renditjet

Cloudwards analizoi mbi 1.3 milion komente të TripAdvisor për 200 plazhe në mbarë botën. U filtruan ankesat për katër kategori kryesore: ndotje, mbipopullim, radhë të gjata dhe zhurmë.

Çdo plazh mori një pikëzim nga 0 në 100, bazuar në frekuencën e ankesave. Sa më i lartë pikëzimi, aq më të shpeshta ishin problemet.

Në këtë listë, Waikiki Beach në Hawaii arriti një 100 perfekt por për të gjitha arsyet e gabuara.

Turizmi nën presion: masa kufizuese në rritje

Shumë destinacione përballen me të njëjtën formulë problemi: vijë bregdetare të kufizuara, fluks maksimal në sezonin e verës dhe famë virale që tejkalon kapacitetet infrastrukturore, duke vënë në presion komunitetet lokale.

Disa prej plazheve të përmendura kanë nisur masa për të frenuar mbingarkesën dhe për të mbrojtur mjedisin. Sardenja ka vendosur kufizime ditore të vizitorëve, rezervime të detyrueshme paraprakisht dhe, në disa raste, ndalim të peshqirëve për të shmangur erozionin e rërës.

Në Greqi, nga viti 2025, vizitorët e anijeve turistike që zbresin në ishujt e mbipopulluar si Mikonos dhe Santorini paguajnë një tarifë prej 20 eurosh.

Në Spanjë, është ndaluar konsumi i alkoolit në disa plazhe dhe janë vendosur gjoba për sjellje të papërshtatshme.

Kjo është pjesë e përballjes më të gjerë të Europës me mbingarkesën turistike nga qytetet te brigjet. Këtë verë, premtimi i një pushimi perfekt buzë detit po vihet në provë nga turmat, kaosi dhe hendeku gjithnjë e më i madh mes pritshmërive dhe realitetit. Në epokën e fotove të filtruara dhe famës virale, edhe parajsa ka një pikë thyerjeje. /AutoPortali

TË FUNDIT