Kuzhina shqiptare është kthyer në një nga përvojat më të vlerësuara të udhëtimit, sipas një ankete të zhvilluar gjatë muajit qershor nga “Monitor” me 250 turistë të huaj në Tiranë, Durrës, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Berat.
Çmimet e ulëta, shijet tradicionale dhe autenticiteti i gatimeve po rrisin vlerën ekonomike të turizmit lokal, transmeton AutoPortali.
Pjatat më të preferuara
Ushqimet tradicionale shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë zemrat e turistëve të huaj.
Në krye të preferencave është tava e dheut, me 22% të të anketuarve që e cilësuan si pjatën më të shijshme të udhëtimit të tyre në Shqipëri.
Pas saj renditet peshku në furrë (17%), duke treguar rëndësinë e freskisë së produkteve detare në përvojën gastronomike.
Një tjetër sinjal pozitiv është popullariteti në rritje i qifqive, një gatim tipik nga Gjirokastra që deri vonë mungonte në menutë e restoranteve.
Preferencat e turistëve po ndikojnë drejtpërdrejt në ofertën lokale, duke i rikthyer këto receta në qendër të vëmendjes.

Pijet më të kërkuara: Vera dhe rakia në krye
Në një treg turistik gjithnjë e më të orientuar drejt autenticitetit, pijet tradicionale shqiptare po zënë një rol qendror në përvojën e vizitorëve të huaj.
Vera vendase rezulton pija më e konsumuar, me 63% të të anketuarve që e kanë përfshirë në përvojën e tyre kulinare, ndërsa rakia, simbol i trashëgimisë gastronomike shqiptare, është zgjedhur nga 52% e tyre.
Vlen të theksohet se birrat vendase janë më të konsumuara se ato të huaja (47% kundrejt 35%), çka dëshmon një prirje të qartë drejt produkteve lokale.
Ky orientim ndaj konsumit autentik jo vetëm që pasuron përvojën turistike, por gjithashtu krijon vlerë të shtuar për prodhuesit vendas dhe sektorin agroushqimor në tërësi.

Perceptimi mbi çmimet
Çmimet në restorantet shqiptare vlerësohen si tepër të favorshme nga shumica e turistëve të huaj.
Rreth 38% i konsiderojnë ato “shumë të lira”, ndërsa një tjetër 45% i cilësojnë “të përballueshme”.
Vetëm 3% i quajtën çmimet “të shtrenjta”, një tregues i qartë se Shqipëria vazhdon të ofrojë një raport çmim cilësi shumë konkurrues në rajon.

Vlerësimi i përgjithshëm: 5 yje për kuzhinën shqiptare
Rezultatet e anketës tregojnë një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv të përvojës kulinare në Shqipëri nga turistët e huaj. 52.8% e të anketuarve i dhanë ushqimit shqiptar vlerësimin maksimal prej 5 yjesh, ndërsa 26.4% dhanë 4.5 yje.
Vetëm një pjesë e vogël (15.2%) e vlerësoi me 4 yje, dhe më pak se 6% dhanë një vlerësim prej 3 yjesh ose më pak.
Ky nivel i lartë kënaqësie sinjalizon se gastronomia po shndërrohet në një komponent kyç të produktit turistik shqiptar.

Kur u pyetën për qytetet ku kanë pasur përvojën më të mirë kulinare, turistët renditën Gjirokastrën në vend të parë, me 91% të vlerësimeve pozitive, ndjekur nga Berati (88%), Vlora (85%) dhe Shkodra/Thethi (82%).
Këto destinacione dallohen për praninë e restoranteve autentike dhe agroturizmeve, ku kuzhina tradicionale nuk është më element simbolik, por pjesë qendrore e menusë.




