Nëpërmjet Portit të Durrësit, terminali kryesor detar i vendit, gjatë muajit korrik të këtij viti kanë kaluar 111,049 pasagjerë, duke shënuar muajin me fluksin më të lartë të sezonit turistik.
Sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, nga ky numër, 70,281 pasagjerë ishin shtetas të huaj, ndërsa 40,768 shqiptarë kanë përdorur transportin detar për udhëtime brenda dhe jashtë vendit.
Terminali i Trageteve ka operuar me kapacitet të plotë, përfshirë të gjitha shërbimet e agjencive private dhe shtetërore, duke siguruar një sezon pa vonesa apo problematika të evidentuara.
Menaxhimi i fluksit është koordinuar nga Siguria Portuale, Policia Kufitare, agjentët doganorë dhe instancat e tjera ligjzbatuese, duke mundësuar pritjen e 83,116 pasagjerëve dhe përcjelljen e 27,933 të tjerëve.
Në krahasim me korrikun e vitit 2024, numri i pasagjerëve ka shënuar një rënie minimale prej vetëm 1%, ose 1,981 udhëtarë, duke treguar qëndrueshmëri të lartë të trafikut detar në këtë periudhë, shkruan AutoPortali.




