Mjetet e udhëtimit me AI, risi apo zhgënjim?
M

Mjetet e udhëtimit me AI, risi apo zhgënjim?

Krijuesit e teknologjisë së udhëtimit të mbështetur nga inteligjenca artificiale (AI) thonë se veglat e tyre mund ta bëjnë jetën më të lehtë: nga planifikimi i pushimeve të ëndrrave, shfrytëzimi i pikëve të besnikërisë, e deri tek zbulimi i një ndërtese interesante pranë jush.

Por a është vërtet kështu?

Pas testimit të disa prej platformave më të mëdha, përgjigjja është: disi.

Në treg kanë dalë me dhjetëra planifikues udhëtimi të ngjashëm, që ndihmojnë të krijosh itinerarë, të gjesh hotele e restorante me rezultate të ndryshme. Më të mirët arrijnë të imitojnë stilin bisedues të chatbot-ëve si ChatGPT i OpenAI ose Gemini i Google.

Megjithatë, kufizimet janë të njëjta si në çdo program tjetër AI: mungesë e të dhënave të përditësuara, informacion jo aq i detajuar sa Google Flights dhe, në disa raste, thjesht trillime.

Sidoqoftë, ekzistojnë mënyra për t’i shfrytëzuar më së miri. Pas këshillave nga ekspertët dhe testimeve, këtu janë disa prej veglave më të spikatura të AI për udhëtim.

Expedia Trip Matching, nga Instagram në itinerar

Detyra: Kthe videot e Instagram-it në plan udhëtimi.

Ky planifikues i thjeshtë funksionon kështu: kur sheh një Reel në Instagram për një destinacion që të tërheq, ia dërgon me mesazh direkt Expedia-s, sikur t’ia ndaje një miku. Chatboti i AI nis bisedën, të pyet për preferencat “histori, ushqim, natyrë, jetë nate apo diçka tjetër?” dhe të ofron sugjerime sipas përgjigjeve të tua.

Shefi i marketingut në Expedia, Jochen Koedijk, shpjegon se ky shërbim është menduar për ata që ende nuk kanë plan konkret, por duan të shohin më shumë rreth një ideje që u ka lindur.

Trip Matching ofron edhe linkë për rezervime hoteli, në rast se të kap impulsi.

Por problemet nuk mungojnë: rekomandime të përgjithshme, sugjerime për hotele pa disponueshmëri dhe madje këshilla të rrezikshme, si fluturime me ndalesë në Moskë pavarësisht luftës në Ukrainë.

Mindtrip Itinerar i personalizuar sipas interesave

Detyra: Jep sugjerime udhëtimi të përshtatura.

Mindtrip të tërheq me vizualet e pasura: harta interaktive, fotografi dhe një ndërfaqe biseduese si ChatGPT. Fillon me një pyetësor të shkurtër për interesat, më pas merr sugjerime të detajuara. Për ata që nuk dinë çfarë të pyesin më tej, vegla ofron opsionin “You might want to ask”.

Platforma përfshin mbi 30 mijë guida nga krijues përmbajtjesh e përdorues të tjerë. Disa hotele mund të rezervohen drejtpërdrejt përmes Mindtrip, që fiton komision nga kjo.

Dobësia qëndron te fluturimet: mungesë informacioni për çmime e disponueshmëri në disa rrugë, ndërsa kërkimi online ofroi bileta më të lira. Për fluturimet brenda SHBA-ve ishte më e saktë sesa për ato ndërkombëtare.

Mindtrip është falas, por pas disa mesazheve duhet të krijosh llogari.

Layla, planifikim sipas emocioneve

Detyra: Jep këshilla udhëtimi bazuar në ndjenja.

CEO i Layla, Saad Saeed, thotë se vegla funksionon më mirë kur përdoruesi shpreh emocionet dhe arsyet pse dëshiron të udhëtojë.

Aplikacioni, me avatarin e një vajze me flokë kaçurrela, ngjan me Mindtrip: tekst bisedues, hartë dhe foto, megjithëse shpesh kërkon disa tentativa për të ngarkuar vizualet. Anëtarësia prej 49 dollarësh në vit ofron ulje deri në 20% në disa hotele.

Dallimi qëndron në tonin e bisedës: kur përmenda një udhëtim në Vermont, përgjigja ishte “Më thuaj detajet dhe do të gatuaj disa ide super të forta!” gjuhë që jo të gjithëve u pëlqen.

Dobësia tjetër: pas më pak se 10 mesazheve, del përpara një mur pagesash. Informacioni që ofron është i dobishëm, por kur alternativa falas ekzistojnë, Layla nuk bind plotësisht.

Gondola, maksimizimi i pikëve të besnikërisë

Detyra: Përdor pikët dhe miljet në mënyrën më efikase.

Gondola është menduar për udhëtarët e shpeshtë. Platforma skanon rezervimet nga email-i ose të dhënat e futura manualisht, dhe krahason programet e ndryshme të besnikërisë (p.sh. Marriott, Hilton, Hyatt). Rezultatet renditen nga më e mira tek më e keqja, duke treguar çmimin në para dhe pikë, si dhe fitimet e mundshme.

Pas rezervimit, Gondola monitoron çmimet e biletave dhe dhomave. Nëse ato bien, mund të rirezervosh më lirë. Fluturimet, megjithatë, nuk mund të blihen direkt nga faqja.

“Objektivi ynë është të gjejmë mënyrën më të leverdishme për dikë që udhëton shpesh,” thotë bashkëthemeluesi Skyler Erickson.

Gondola është më shumë një mjet krahasimi sesa gjenerator idesh.

Syzet Ray-Ban Meta, informacion në kohë reale

Detyra: Merr informacion gjatë udhëtimit.

Pasi ke fluturuar dhe je në destinacion, syzet Ray-Ban Meta përdorin AI për të identifikuar objektet përreth. Mjafton të thuash “Hey, Meta” dhe të pyesësh për një monument apo ndërtesë. Përgjigjja vjen me audio.

Syzet ofrojnë gjithashtu përkthim të drejtpërdrejtë në katër gjuhë (anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht) por Google Translate ka rreth 250 gjuhë.

Çmimi nis nga 299 dollarë. Janë të disponueshme si syze dielli, me lente të kalimit automatik apo edhe me recetë. Bateria zgjat rreth katër orë përdorim mesatar.

Kamera e integruar ruan foto e video në aplikacionin Meta AI. Një dritë në kornizë paralajmëron të tjerët se po regjistrohen. Por a është më praktike kjo sesa të nxjerrësh telefonin? Mbetet për t’u diskutuar. /AutoPortali

TË FUNDIT