Antalia thyen rekordin e korrikut me mbi 102 mijë turistë në një ditë
A

Antalia thyen rekordin e korrikut me mbi 102 mijë turistë në një ditë

Antalia, destinacioni më i njohur turistik i Turqisë, ka thyer një rekord të ri këtë fundjavë duke pritur mbi 102 mijë turistë të huaj në vetëm një ditë shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në korrik.

Sipas ministrit turk të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, më 19 korrik nëpërmjet aeroporteve të Antalias dhe Gazipasës mbërritën gjithsej 102,006 turistë të huaj, duke kaluar çdo statistikë të mëparshme për këtë muaj. Vetëm pak ditë më parë, më 11 korrik, u regjistruan mbi 100,681 vizitorë, duke dëshmuar trendin e lartë turistik.

“Antalya vazhdon të jetë një yll i ndritshëm i turizmit botëror me diellin, detin, trashëgiminë historike, natyrën unike dhe infrastrukturën e fuqishme turistike,” u shpreh ministri, duke shtuar se qyteti mesdhetar mund të thyejë edhe rekordin absolut të vitit të kaluar 102,755 vizitorë në një ditë, të regjistruar në gusht.

Rritje e pandalshme turistike

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Antalia ka pritur rreth 7.8 milionë turistë të huaj, duke konfirmuar pozitën e saj si një nga destinacionet kryesore të Rivierës Turke.

Vitin e kaluar, qyteti regjistroi një total prej 17.28 milionë vizitorësh, kryesisht nga Rusia dhe Evropa, ndërsa për herë të parë më shumë se një milion turq që jetojnë jashtë vendit pushuan në Antalia.

Perla e Rivierës Turke

E vendosur në jugperëndim të Turqisë, Antalia njihet për qytetin e vjetër Kaleiçi, me portën e Hadrianit, kullën e sahatit dhe minaren me spirale të xhamisë Yivli.

Porti i vjetër dhe plazhet me ujëra të kristalta si Konyaaltı dhe Lara janë ndër atraksionet kryesore për vizitorët, së bashku me ujëvarat e Düdenit, rrënojat greko-romake të Perge e Termessos, si dhe parkun kombëtar të Beydağları dhe malin Olimp.

Klimë mesdhetare, verë të gjata me diell, dimra të butë, hotele moderne, restorante dhe oferta kulturore e argëtuese e bëjnë Antalian një destinacion të pakrahasueshëm turistik, që çdo vit tërheq miliona vizitorë nga e gjithë bota.

TË FUNDIT