Situata gjeopolitike në arenën ndërkombëtare po fillon të reflektohet drejtpërdrejt edhe në futbollin botëror, duke ngritur shqetësime për organizimin e evenimenteve të mëdha sportive.
Federata e Futbollit e Iranit ka nisur negociatat me FIFA-n për mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve të saj në Kupën e Botës 2026 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikës.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ky veprim lidhet drejtpërdrejt me tensionet e fundit politike dhe ushtarake mes Iranit dhe SHBA-së, pas zhvillimeve të fundit në rajon dhe bashkëpunimit ushtarak të Uashingtonit me Izraelin. Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e përfaqësueses iraniane gjatë qëndrimit në territorin amerikan.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka deklaruar se skuadra nuk është e gatshme të udhëtojë në SHBA në rrethanat aktuale, duke theksuar se nuk mund të garantohet siguria e lojtarëve dhe stafit të ekipit kombëtar.
Sipas shortit të Botërorit, Irani është pjesë e Grupit G dhe fillimisht pritet t’i zhvillojë ndeshjet në qytete amerikane si Los Angeles dhe Seattle. Megjithatë, një nga opsionet që po diskutohet aktualisht është zhvendosja e këtyre ndeshjeve në Meksikë, një nga tre vendet organizatore të turneut së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.
Një vendim i tillë do të ishte mjaft kompleks për t’u realizuar, pasi organizimi i Botërorit 2026 tashmë ka hyrë në një fazë të avancuar, me kalendarin e ndeshjeve të përcaktuar, biletat e shitura dhe marrëveshjet televizive të finalizuara.
Në rast se FIFA nuk e pranon kërkesën e federatës iraniane, në skenë mbetet edhe një skenar ekstrem, ai i tërheqjes së Iranit nga turneu.
Një vendim i tillë do të ishte historik, pasi do të shënonte një nga rastet e rralla në epokën moderne kur një kombëtare e kualifikuar tërhiqet nga pjesëmarrja në Kupën e Botës.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një vendim zyrtar për tërheqje dhe autoritetet e futbollit aziatik nuk kanë marrë ndonjë njoftim formal lidhur me këtë çështje.
Kupa e Botës 2026, e cila do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, rrezikon të ndikohet nga zhvillimet politike globale. Rasti i Iranit po shihet si një shembull i qartë se si tensionet ndërkombëtare mund të ndikojnë drejtpërdrejt në organizimin dhe zhvillimin e eventeve më të mëdha sportive në botë.
Irani merr pjesë në Kupën e Botës veç me një kushtI
Irani merr pjesë në Kupën e Botës veç me një kusht



