Gonxhja: Rritje e dukshme e vizitorëve dhe të ardhurave në Butrint
G

Gonxhja: Rritje e dukshme e vizitorëve dhe të ardhurave në Butrint

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi sot mbledhjen e bordit me përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (BMF) për Parkun Kombëtar të Butrintit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja tha se gjatë mbledhjes së bordit u diskutua mbi ecurinë shumë pozitive të vitit që lamë pas, duke theksuar mirëmenaxhimin dhe administrimin efikas të parkut, transmeton ATSH, përcjell AutoPortali.

Ministri Gonxhja tha se “falë kësaj qasjeje, numri i vizitorëve arriti në 295,152 ose 147% më shumë krahasuar me vitin 2023, duke gjeneruar një rritje prej 218% të të ardhurave”.

Gonxhja u shpreh se në takim u diskutuan gjithashtu pritshmëritë për sezonin e ri turistik, si dhe për pasurimin e kalendarit të aktiviteteve kulturore për ta bërë eksperiencën e vizitorëve në Butrint edhe më të bukur.

Parku Kombëtar i Butrinti, i ndodhur 25 km larg Sarandës, është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit.

Larmia e jashtëzakonshme e habitateve natyrore dhe ndërthurja e tyre me site arkeologjike, historike e kulturore të rralla, krijon një peizazh magjik të veçantë duke tërhequr vëmendjen e mijëra turistëve nga vende të ndryshme të botës.

TË FUNDIT