Nga shirat e shumta, rrezikohet gara e dytë e MotoGP-së
N

Nga shirat e shumta, rrezikohet gara e dytë e MotoGP-së

Shirat e dendur në Brazil kanë shkaktuar përmbytje në pistën e rinovuar “Autodromo Ayrton Senna” në Goiania, e cila këtë fundjavë do të presë rundin e dytë të sezonit 2026 të MotoGP-së. Shtrëngatat filluan të hënën dhe situata po bëhet gjithnjë e më serioze.

Edhe pse shi parashikohej deri të premten, askush nuk priste kaq shumë reshje. Pista, e rinovuar plotësisht për të pritur Çmimin e Madh të Brazilit në MotoGP pas 37 vitesh, u gjend e përmbytur në tunelin e qasjes në padok, dhe në zonat me bar rreth pistës formoheshin pellgje të mëdha. Vetë pista dhe pit-lane kishin vetëm pjesë të lagura, pa akumulim uji të konsiderueshëm.

Disa pjesë të pistës ishin të përmbytura, si në kthesën para vijës së finishit, ashtu edhe në fund të drejtëzës. Në kthesën e parë, uji mbuloi plotësisht 12 metra gjerësi të asfaltit. Toka e njomë bëri që tuneli për qasje në padok të ishte i përmbytur me mbi 25 cm ujë. Mbrojtja civile e Goiânës lëshoi paralajmërim urgjent për rrezikun e përmbytjeve të papritura dhe të rënda, duke këshilluar qytetarët të shmangin lëvizjet në zonat e prekura.

Askush në Goiania nuk dëshiron të dëgjojë për anulimin e eventit, sidomos pas zhvendosjes së fundit të Çmimit të Madh të Katarit në fund të sezonit. Mbeten vetëm 48 orë deri në fillimin e veprimtarisë në pistë, dhe organizatorët shpresojnë që shiu të ndalet dhe gjithçka të jetë gati për garën e MotoGP-së në Brazil.

TË FUNDIT