Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, ka komentuar mundësinë që Max Verstappen të tërhiqet nga sporti.
Katër herë kampioni i botës, pjesë e Red Bull, ka lënë të kuptohet së fundmi se mund t’i japë fund karrierës, duke theksuar se rregullat e reja i kanë ulur motivimin për të garuar.
“Do të më vinte keq nëse tërhiqet, sepse më pëlqen shumë Max, por nëse ai ka vendosur kështu…, dikush tjetër do ta zëvendësojë. Ka potencial te pilotët e rinj si Hadjar dhe të tjerë. Secili duhet të bëjë atë që e bën të lumtur”, u shpreh Schumacher.
Ai shtoi se e kupton situatën e Verstappen: “E di saktësisht si ndihet. Kur udhëton për vite me radhë, fillon të mendosh nëse do të ishte më mirë të qëndroje në shtëpi me familjen dhe miqtë”.

I pyetur nëse Verstappen duhet të tërhiqet, Schumacher u përgjigj: “Nëse nuk dëshiron të garojë, është plotësisht në rregull. Ai duhet ta marrë vetë vendimin dhe ekipi të gjejë zëvendësim. Ka shumë pilotë, edhe pse jo në të njëjtin nivel. Makina është konkurruese dhe të tjerët mund të fitojnë”.



