Audi pritet të prezantojë këtë vit SUV-in e tij më të madh ndonjëherë, modelin e ri Q9, i cili do të konkurrojë drejtpërdrejt me Mercedes-Benz GLS dhe BMW X7.
Si prodhuesi i fundit nga “treshja gjermane” që futet në segmentin e SUV-ve gjigantë, Audi synon të tërheqë klientët më luksozë me teknologji dhe komoditet maksimal. Q9 do të ndërtohet mbi platformën më të re të markës për automjetet me motorë klasikë.

Duke qenë se tregu më i madh për SUV-et “full-size” janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, modeli i ri do të përdorë motorë të mëdhenj me djegie të brendshme. Megjithatë, pritet që Audi të ofrojë edhe versione me elektrifikim, përfshirë mild-hybrid dhe plug-in hybrid.

Kompania ka zbuluar vetëm disa detaje fillestare, duke u fokusuar kryesisht te interieri luksoz. Sipas fotografive të publikuara, Audi Q9 do të ofrojë nivel maksimal rehatie për të gjithë pasagjerët, pavarësisht se në cilin rresht të ulëseve ndodhen.

Ulëset e rreshtit të dytë janë të ndara individualisht, me rregullim elektrik dhe dizajn që ngjan me kolltukë premium. Nuk mungojnë funksionet si ngrohja, ventilimi dhe masazhi i ulëseve.

SUV-i i ri do të pajiset gjithashtu me një çati të madhe panoramike me ndriçim ambiental dhe sistem audio premium 4D nga Bang & Olufsen.



