George Russell, piloti i Mercedesit në Formula 1, është ndëshkuar pas garës për Çmimin e Madh të Kanadasë.
Shoku i tij i skuadrës, Andrea Kimi Antonelli, vazhdoi sezonin fantastik duke fituar për herë të katërt radhazi këtë sezon në pistën “Gilles Villeneuve”.
Ndërkohë, Russell nuk arriti ta përfundonte garën pas një problemi të rëndë teknik në makinën e tij. Pas daljes nga pista, Mercedesi i britanikut pësoi një defekt serioz dhe ai u detyrua të tërhiqej në mes të garës.
I irrituar dhe i zhgënjyer, Russell hodhi në pistë mbështetësen e kokës së bolidit të tij, veprim që u konsiderua i rrezikshëm nga komisarët, pasi objekti përfundoi në pistë.
Për këtë arsye, piloti britanik u thirr para komisarëve pas garës në Montreal dhe u ndëshkua me një gjobë prej 5 mijë eurosh, e pezulluar për 12 muaj, me kusht që incidenti të mos përsëritet.

Russell pranoi se ndihej i turpëruar për reagimin e tij. Në vendimin e FIA-s thuhej:
“Piloti i makinës me numër 63 shpjegoi se ishte jashtëzakonisht i frustruar që nuk e përfundoi garën dhe shprehu turpin për sjelljen e tij. Ai kërkoi falje ndaj komisarëve dhe pranoi se nuk dha shembullin e duhur”, thuhet në deklaratë.



