Marseda Qefalia/ Velipoja, plazhi më verior i Shqipërisë, është gati për sezonin turistik për të mikpritur vizitorët që zgjedhin të kalojnë pushimet në një nga vijat bregdetare më të bukura të Adriatikut.
Me mbi 14 kilometra vijë bregdetare ranore, Velipoja ofron një ndërthurje të rrallë mes detit, lumit, deltës me ishuj, kodrave, pyllit, lagunës dhe fushave, që e bëjnë atë tërheqëse për pushuesit.
Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit ka sjellë turistë të shumtë në Velipojë, ndërsa pritshmëritë për autoritetet lokale janë që të tejkalohet fluksi i regjistruar gjatë sezonit të kaluar.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), pushuesit u shprehën se ndryshimet e viteve të fundit janë të dukshme, veçanërisht në aspektin e pastërtisë, sigurisë dhe organizimit të plazheve, përcjell AutoPortali.
“Në Velipojë kam qenë edhe më parë, por paska ndryshuar për mirë. Çmimet në përgjithësi janë të përballueshme”, tha një pushues nga Mitrovica.
Një pushues u shpreh i kënaqur me çmimet e përballueshme gjatë këtij sezoni turistik.
“Unë kam ardhur dje, rregullisht e vizitoj Velipojën. Siguria jashtëzakonisht shumë e mirë. Çmimet janë reale, nuk janë të larta. Edhe perimet janë më lirë se në Kosovë dhe këtu është vend turistik. Jam shumë i kënaqur, më duket se ka bregdetin më të mirë. Edhe mikpritja”, tha ai.
Një pushuese nga Gjakova, tha gjithashtu se prej vitesh zgjedh t’i kalojë pushimet Velipojë, pasi është e kënaqur me kushtet që ofrohen.
“Ka shumë vite që vijmë këtu, nuk e ndërrojmë. Ka pastërti, plazhi shumë i mirë, deti gjithashtu, infrastruktura. Do qëndrojmë tri javë”, tha ajo.
Një tjetër pushuese vlerësoi ndryshimet pozitive, siç i quajti, në disa aspekte.
“Është përmirësuar shumë mirë, pastërtia, shërbimet, jemi shumë të kënaqur”, tha një tjetër pushuese.
Drejtori i përgjithshëm i Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik në Bashkinë Shkodër, Bekim Mema, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), tha se gjatë muajve prill dhe maj janë realizuar pastrimet e plazhit, ndarja e hapësirave publike dhe sistemimi i zonave të administruara nga subjektet private.
Sipas Memës, një nga prioritetet kryesore të bashkisë mbetet garantimi i hapësirave publike falas për pushuesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ai theksoi se këtë vit është sjellë edhe një risi, ku pushuesit mund të marrin çadra dhe shezlongë në plazhet e menaxhuara nga bashkia me tarifa të reduktuara.
Mema nënvizoi gjithashtu se rreth 30-35% e sipërfaqes së plazhit të Velipojës mbetet hapësirë publike pa pagesë, e mirëmbajtur dhe e aksesueshme për të gjithë pushuesit që zgjedhin të mos përdorin shërbimet me pagesë.
“Përgjatë këtij sezoni ne duam dhe në zbatim të ligjit që të krijojmë mundësitë për të gjithë pushuesit që të kenë hapësirat publike pa pagesë, por njëkohësisht këtë vit është futur dhe një risi, që të gjithë pushuesit që kanë dëshirë të përdorin shezlongë dhe çadra të mund t’i marrin ato tek bashkia Shkodër me një çmim shumë konkurrues. Çmimi për plazhet e Velipojës të menaxhuara nga bashkia Shkodër do të jenë në vlerën 400 lekë të reja me tre plazhe të tilla në zonën e Velipojës, si dhe një plazh në zonën e Rrjollit, ku çmimi do të jetë 300 lekë”, tha ai.
“Ndërkohë dua të theksoj dhe të tërheq vëmendjen e gjithë pushuesve, që hapësirat publike pa pagesë janë në përqindje shumë të madhe, kapin rreth 30-35% të gjithë plazhit të Velipojës dhe kushdo që dëshiron të kalojë pushimet pa shpenzuar për çadra dhe shezlongë e ka këtë mundësi, në hapësirat që janë të mirëmbajtura, në hapësirat që janë të sistemuara dhe nuk kanë nevojë për të shpenzuar asnjë lek”, tha ai.
Sa i përket vrojtuesve të plazhit, Mema tha se po punohet ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për të garantuar zbatimin e plotë të detyrimeve nga subjektet private që operojnë në bregdet.
Sipas tij, të gjitha subjektet private kanë detyrimin ligjor të disponojnë vrojtues plazhi dhe infrastrukturën e nevojshme për të ofruar ndihmën e parë në rast emergjencash shëndetësore.
“Një nga sfidat që kemi dhe me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit është që të zbatojmë kontratat 100% me gjithë subjektet private të cilat kanë detyrimin ligjor që të kenë vrojtuesit e plazhit dhe të kenë infrastrukturën e lehtë për t’i asistuar për një moment vështirësie shëndetësore pushuesit tanë, në mënyrë të tillë që çdo pushues të jetë sa më i sigurt në pushimet e tij në Velipojë dhe të ketë asistencën imediate në një moment që mund të ketë një vështirësi. Gjithashtu edhe e menaxhuara nga bashkia, kanë rojat e tyre bregdetare”, tha ai.
Një tjetër sfidë e rëndësishme sipas tij mbetet edhe ruajtja e pastërtisë së mjedisit. Sipas Memës, bashkia ka përcaktuar orare fikse për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve, ndërsa u bëri thirrje operatorëve privatë dhe pushuesve të respektojnë pikat e caktuara për depozitimin e tyre.
“Ne kemi vendosur oraret fikse për tretjen dhe hedhjen e mbeturinave dhe kërkojmë me ngulm që të kemi një bashkëpunim me privatin dhe çdo pushues që t’i respektojnë këto pikat e grumbullimit”, tha ai.
Duke folur për pritshmëritë e sezonit turistik, Mema theksoi se Velipoja mbetet ndër destinacionet më të preferuara për turistët vendas si dhe nga bashkëkombasit nga Kosova e Maqedonia e Veriut.
“Pritshmëritë janë që të tejkalojmë dhe vitin e kaluar ku në periudhat e pikut, të korrikut dhe gushtit, Velipoja ka një kapacitet me plazhe prej 100 deri në 120 mijë pushuesish. Ky numër shpresojmë të jetë në rritje dhe po punojmë shumë dhe me operatorët privatë që çmimet të mbahen normale dhe të jenë sa më të përballueshme nga të gjithë”, tha Mema.























