Drejtori për Formula 1 në FIA, Nikolas Tombazis, ka pranuar se federata ishte në dijeni të problemeve që sollën rregulloret e reja teknike për sezonin 2026, por nuk kishte mundësi t’i ndryshonte ato për shkak të marrëveshjeve të nënshkruara me prodhuesit e motorëve.
Në një intervistë për Motorsport, Tombazis tha se FIA kishte dëgjuar vazhdimisht ankesat e pilotëve, të cilët kritikuan ndikimin e madh të sistemit elektrik në performancën e makinave.
“E dinim që pilotët do të ankoheshin për disa çështje dhe u përpoqëm t’i zbusnim ato. Më vjen keq që u detyruam të prisnim deri në maj për të përgatitur një paketë ndryshimesh për vitet 2027 ose 2028. Mund të ishim marrë me këtë disa vite më herët”, deklaroi Tombazis.
Ai shpjegoi se prodhuesit e motorëve kishin nënshkruar që në vitin 2022 një marrëveshje detyruese, e cila kufizonte ndryshimet në rregullore dhe vendoste kufij financiarë për zhvillimin e njësive të fuqisë. Për këtë arsye, çdo ndryshim kërkonte miratimin e shumicës së prodhuesve.

“Kur nisën simulimet e para në vitin 2022, e kuptuam se këto probleme ekzistonin, por procesi kishte avancuar shumë dhe disa prodhues kishin investuar tashmë burime të mëdha. Në atë pikë ishte tepër vonë për ndryshime rrënjësore”, theksoi ai.
Sipas Tombazis, kërkesa e prodhuesve për një rol më të madh të energjisë elektrike në motorët e rinj ishte vendimtare për t’i mbajtur ata në Formula 1, edhe pse kjo solli vështirësi në garim. Megjithatë, ai vlerësoi se, pavarësisht avantazhit të Mercedesit në sezonin 2026, garat kanë qenë konkurruese dhe më interesante sesa në fillimet e epokave të mëparshme të rregulloreve të reja.



