Industria e automobilave dikur kishte një vizion dhe planifikonte strategjinë të paktën një dekadë përpara, ndërsa sot gjigantët kryesorë botërorë ndryshojnë vendimet fjalë për fjalë gjatë rrugës. Shembulli më i fundit i këtij kaosi biznesi vjen nga Gjermania: Audi, në bashkëpunim me kompaninë SAIC, zhvilloi një markë krejtësisht të re elektrike të quajtur AUDI (e shkruar vetëm me shkronja të mëdha), e destinuar për tregun kinez. Por brenda natës ndodhi që pikërisht këto makina të mbërrinin në tregun vendas gjerman dhe të bëheshin rivalë të drejtpërdrejtë të modeleve të markës në Gjermani!
Nuk bëhet fjalë për shitje zyrtare nga gjiganti gjerman, por për import paralel të kryer nga kompania “Auto China”, e cila u ofron blerësve gjermanë modelet kineze AUDI E5 Sportback dhe AUDI E7X. Këto automjete janë ndërtuar mbi një platformë të avancuar dhe ofrojnë specifika mbresëlënëse, për të cilat blerësit evropianë, me atë çmim, mund vetëm të ëndërrojnë.
AUDI E5 Sportback është 4,88 metra i gjatë dhe në versionin më të fuqishëm “Flagship quattro” zhvillon plot 787 kuaj fuqi nga dy motorë elektrikë. Bateria prej 100 kWh mundëson një autonomi prej 647 kilometrash, ndërsa përshpejtimi nga 0 në 100 km/h zgjat vetëm 3,4 sekonda. Karikimi i shpejtë mund të rikthejë rreth 370 km autonomi në vetëm 10 minuta.
,fit(700:467))
AUDI kinez më i lirë se Audi gjerman!
Nga ana tjetër, AUDI E7X, një SUV i madh me gjatësi prej 5,05 metrash, ka një bateri prej 109 kWh, 680 kuaj fuqi dhe autonomi mbi 750 kilometra. Në Kinë, ky model fillon nga rreth 34.000 euro!
Në pamje të parë, çmimet në Gjermani duken si një dhuratë: E5 reklamohet për 59.980 euro, ndërsa E7X për 72.900 euro. Megjithatë, bëhet fjalë për një iluzion të zgjuar, pasi këto janë çmime pa taksa dhe detyrime. Kur llogariten TVSH-ja gjermane, homologimi, transporti, garancia dyvjeçare dhe gjithë dokumentacioni, çmimi përfundimtar rritet ndjeshëm!
Në fund, AUDI E5 kushton 81.800 euro, ndërsa E7X arrin në 97.200 euro.
Për krahasim, Audi S6 Sportback e-tron gjerman, me 503 kuaj fuqi, kushton 99.500 euro, ndërsa SQ6 e-tron fillon nga 93.800 euro.
Edhe pse E5 kinez, pas të gjitha shpenzimeve, mbetet dukshëm më i lirë se homologu i tij evropian, E7X e ka humbur plotësisht avantazhin e çmimit, duke krijuar një situatë krejtësisht të çuditshme dhe një lloj “lufte” brenda së njëjtës shtëpi.
)
Makinat kineze po pushtojnë Evropën
Përveç llogarisë së paqartë ekonomike, blerësit e këtyre modeleve të importuara paralelisht përballen edhe me një rrezik të madh ligjor.
Kompania mëmë Volkswagen Group tashmë ka zhvilluar një betejë të ashpër ligjore kundër importuesve që sollën në Gjermani modelin kinez ID.6 Crozz. Gjykata në Hamburg ka dhënë tashmë një vendim të shkallës së parë, sipas të cilit urdhërohet sekuestrimi dhe shkatërrimi i 22 automjeteve të tilla.
Një fat i ngjashëm dhe padi të ngjashme mund të prekin lehtësisht edhe importuesit dhe blerësit e modeleve të reja kineze AUDI. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se sa shumë ka hyrë industria e automobilave në një kaos, ku tashmë nuk dihet më “kush pi e kush paguan”.



