Shitet Honda NSX kult, bisha që Ayrton Senna e zbuti me çorape të bardha dhe mokasina! (VIDEO)
S

Shitet Honda NSX kult, bisha që Ayrton Senna e zbuti me çorape të bardha dhe mokasina! (VIDEO)

Pak makina në historinë e motorsportit janë të lidhura kaq ngushtë me një pilot sa Honda NSX me legjendën e Formula 1, Ayrton Senna. Një prej makinave që Honda ia dha Senna-s për përdorim personal në vitin 1991 së shpejti do të dalë në ankand, me një vlerë të parashikuar deri në 934.000 euro.

Lidhja mes Senna dhe Honda nisi në vitin 1987 përmes Lotus, ndërsa më pas, te McLaren, ai fitoi titullin e parë botëror. Në të njëjtën kohë, Honda po zhvillonte NSX-in dhe Senna luajti një rol të rëndësishëm në përmirësimin e saj.

Senna e ndihmoi Honda-n ta përmirësonte NSX-in

Gjatë testimeve në pistë, Senna kritikoi ngurtësinë e karrocerisë. Si rezultat, inxhinierët e Honda-s e rritën ngurtësinë e shasisë me 50 për qind dhe modifikuan pezullimin për t’i dhënë makinës karakteristika më sportive.

Pamjet më të famshme tregojnë Senna-n duke e drejtuar NSX-in në pistën Suzuka, me çorape të bardha dhe mokasina (një lloj këpuce e ulët, zakonisht prej lëkure, pa lidhëse).

Makina në fjalë është një NSX e kuqe me çati të zezë, me numër shasie T000233. Senna e përdorte në jetën e përditshme në Portugali, ku kishte një shtëpi në Quinta do Lago. Me të shkoi edhe në Çmimin e Madh të Portugalisë në Estoril, ku u nis i treti dhe përfundoi i dyti.

Një tjetër fotografi ikonike e tregon Senna-n duke larë NSX-in e tij me zorrën e kopshtit, i veshur me xhinse dhe këmishë.

Çmimi mund të arrijë 934.000 euro

Pas vdekjes tragjike të Senna-s në Imola në vitin 1994, makina mbeti në Portugali dhe më vonë kaloi në duart e disa pronarëve në Britani dhe Japoni. Në vitin 2019 ajo u kthye në Imola, ku Giancarlo Minardi e drejtoi për 25-vjetorin e vdekjes së Senna-s.

Shtëpia e ankandeve RM Sotheby’s e ka vlerësuar makinën nga 500.000 deri në 800.000 funte, ose rreth 584.000–934.000 euro.

TË FUNDIT