Edhe pse në treg ekzistojnë produkte të posaçme që mund të zvogëlojnë zhurmat nën kapakun e motorit, në shumicën e rasteve ato ofrojnë vetëm zgjidhje të përkohshme dhe nuk e eliminojnë shkakun e vërtetë të problemit.
Kur rripi i motorit fillon të kërcasë ose të fishkëllijë, shumë shoferë provojnë zgjidhje të shpejta, por ekspertët paralajmërojnë se disa prej tyre mund të shkaktojnë dëme edhe më të mëdha.
Në varësi të modelit të veturës, motori përdor të paktën një rrip ndihmës, i cili transmeton fuqinë te pjesë të rëndësishme si alternatori, kompresori i klimës dhe pompa e servotimonit.
Jetëgjatësia e këtij rripi mund të arrijë deri në 160.000 kilometra, por pas një periudhe të caktuar duhet të zëvendësohet. Disa vetura përdorin disa rripa më të vegjël, ndërsa rripi i dhëmbëzuar (i fazës) zakonisht ndodhet pas mbrojtëseve të motorit.
Dëgjoni këshillat e prodhuesit!
Për shkak të përdorimit të gjerë të WD-40 në shtëpi dhe punishte, shumë shoferë gabimisht e përdorin atë për të ndalur zhurmën e rripit.
Megjithatë, ky sprej krijon një shtresë rrëshqitëse në sipërfaqen e kontaktit, duke bërë që rripi të rrëshqasë mbi rrotullat përkatëse.
Kjo mund të shkaktojë probleme me karikimin e baterisë nga alternatori, funksionimin e pompës së ftohjes dhe servotimonit. Për më tepër, WD-40 tërheq papastërtitë dhe përshpejton grumbullimin e tyre në pjesët mekanike.
Ekzistojnë produkte të posaçme për mirëmbajtjen e rripave, por edhe ato duhet të përdoren me kujdes. Disa prej tyre mund të dëmtojnë materialet sintetike moderne nga të cilat prodhohen rripat e rinj. Edhe kur e largojnë përkohësisht zhurmën, nuk e eliminojnë konsumimin mekanik.
)
Kërcitja ose fishkëllima zakonisht tregon se rripi po i afrohet fundit të jetëgjatësisë.
Sapo të dëgjoni zhurma të pazakonta nën kapakun e motorit, rekomandohet të vizitoni mekanikun për kontroll.
Nëse në rrip vërehen çarje ose shenja konsumimi, zëvendësimi është i domosdoshëm.
Megjithatë, shkaku i zhurmës nuk është gjithmonë vetë rripi. Shpesh problemi mund të vijë edhe nga tensionuesit e konsumuar ose rrotullat e dëmtuara, të cilat gjithashtu duhet të ndërrohen me kohë.
Këshillë: Mos përdorni WD-40 për të ndalur zhurmën e rripit të motorit. Kontrolli te mekaniku dhe identifikimi i shkakut të vërtetë janë zgjidhja më e sigurt për të shmangur dëmet më të kushtueshme.



