Pas dështimit në Montekarlo, reagon Verstappen
P

Pas dështimit në Montekarlo, reagon Verstappen

Javët e fundit, Red Bull duket se ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, me McLaren e Ferrarin që kanë fituar nga një garë në tri të fundit. Ndaj në këtë moment, më shumë se kurrë brenda ekipit është e nevojshme të mendohet për performancën në pistë, pa u shpërqendruar nga politika që sillet rreth ekipit.

Gjatë një interviste me “The Guardian” pas garës së Montekarlo, piloti holandez Max Verstappen e bëri të qartë se kishte pasur mjaft thashetheme për të ardhmen e tij.

“Sa më shumë që flas për të, aq më shumë njerëz duan të shkruajnë. Njerëzit marrin disa pjesë të saj dhe bëhet një rrëmujë e madhe”, ka thënë Verstappen.

“Unë flas dhe më pas ka përkthime në spanjisht, holandisht ose në ndonjë gjuhë tjetër. Të flas më për të ardhmen time nuk do ta ndihmojë situatën. Do të preferoja të mos ishin të gjitha këto histori, janë gjëra që ndodhin brenda ekipit me të cilat duhet të përballemi dhe të ecim përpara”, shtoi piloti holandez.

“Unë kam një kontratë me ekipin për të bërë punën time, për të siguruar një nivel të lartë të  performancës dhe kjo është ajo ku jam i fokusuar. Unë nuk jam politikan dhe nuk më pëlqen politika. Flas për performancat e mia me njerëzit rreth meje, duke u përpjekur të shpërqendroj veten nga gjërat negative”, tha Verstappen.

Jos Verstappen, baba i Max, u rikthye në garazh këtë fundjavë në Montekarlo. “Babai im do të qëndrojë gjithmonë me mua. Ai dhe Horner nuk janë në konflikt. Njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme, por kjo është një histori tjetër. Kur u transferova në Red Bull, Christian ishte një shtyllë në këtë vendim”, tha 3 herë kampioni i botës në Formula 1.

Verstappen rithekson besnikërinë ndaj Red Bull, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028: “Unë jam një person besnik dhe kjo do të thotë shumë për mua. Kjo është ajo që i kërkoj skuadrës dhe deri më tani kjo ka qenë gjithmonë fantastike dhe dua që të qëndrojë kështu për një kohë të gjatë. Do të ishte fantastike të përfundosh në Red Bull, të kalosh një karrierë të tërë në një ekip do të ishte e pabesueshme”, ka thënë Verstappen në fund.

TË FUNDIT