Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, i cili pritet që shumë shpejt të prezantohet te Reali i Madridit, pasi ka mbyllur kontratën me PSG-në, ka zbuluar dashurinë e tij për Milanin.
Nga ceremonia e “European Global Soccer Awards” e mbajtur në Sardenjë, Mbappe pranoi se një ditë mund të luajë në Serinë A, teksa zbuloi se do ta bënte këtë vetëm për të veshur fanellën e Milanit.
“A mund të luaj një ditë në Itali? Kurrë mos thuaj kurrë. Nëse do të ndodhte kjo, do ta bëja vetëm për një skuadër, Milanin. Jam tifoz i kuqezinjve që i vogël dhe jam i dashuruar me ta. E gjithë familja ime janë tifozë me Milanin dhe kam ndjekur çdo ndeshje të kuqezinjve, kur isha i vogël. Do të doja që një ditë të vishja fanellën e tyre” u shpreh francezi.

Kylian Mbappe vendosi të mos rinovojë kontratën me Paris Saint Germain dhe pritet që prej një qershorit të firmosë me Realin e Madridit si futbollist i lirë, duke u bërë kështu edhe transferimi më i bujshëm i merkatos së kësaj vere.



