Përveç Valdet Kaçandollit, i cili sivjet është pjesëmarrës i Kampionatit Evropian që nga gara e parë, në këtë fundjavë, në Shternberk të Çekisë, do të garojnë edhe Liridon Kalenderi e Përparim Dushi.
Garuesit tanë janë optimistë se, përkundër konkurrencës së madhe, do të arrijnë rezultate të mira. Madje, Kalenderi synon hiç më pak se pozitën e parë në Grupin 1, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme.

“Para garës, bashkë me Përparimin (Dushin), kemi qëndruar në Poloni ku me skuadrën tonë i testuam veturat. Në veturën time është punuar gjatë tërë dimrit dhe janë bërë shumë ndryshime, por gjithsesi do të jemi gati për garë”, ka thënë Kalenderi për faqen zyrtare të FASK-ut në Facebook.

Në të kaluarën ai ka arritur rezultate të shkëlqyeshme, duke u renditur në pozitën e dytë, por sivjet shpreson të bëjë edhe një hap më tutje.

“Bashkë me ekipin kemi synim të fitojmë ndaj Karl Schagerl me Golf, i cili dominon tash e 16-17 vjet e poashtu të jemi edhe më të mirë se Igor Stefanovski me Ferrari. Thjesht, nëse çdo gjë është në rregull me veturën, synojmë pozitën e parë”, është shprehur Kalenderi.
Ai beson që edhe Dushi e Kaçandolli të arrijnë rezultate të mira, duke u bazuar në përvojën e tyre si dhe veturat që i kanë.



