Mirlind Daku po shfaq formë solide në Rusi me Rubin Kazanin dhe, kjo ka bërë që klubet evropiane t’ia vënë syrin sulmuesit kosovar.
Sipas mediave turke, anëtari i Kombëtares shqiptare mund të përfundojë në Stamboll gjatë vërës që po vjen.
Mediumi “Takvim” raporton se Besiktasi ia ka vënë syrin sulmuesit të rrezikshëm, të cilit madje ia ka bërë edhe një ofertë zyrtare.
Sipas mediumit në fjalë, klubet janë duke i vazhduar negociatat, sepse turqit e duan një sulmues për sezonin e ardhshëm, pasi duan të ndahen me Vincent Aboubakar dhe se ende nuk kanë arritur marrëveshje për kontratën e re me Cenk Tosun.
Klubi rus nuk dëshiron ta shesë Dakun para EURO 2024 pasi beson se vlera e kartonit të futbollistit kosovar mund të rritet me ndonjë paraqitje eventuale pozitive me Shqipërinë në këtë garë prestigjioze.

Vlera aktuale e Dakut është 1.5 milion euro, ndërsa ai i ka zhvilluar 232 ndeshje në karrierë duke kontribuuar në 130 gola, përfshirë këtu 109 gola dhe 21 asistime.
Në edicionin e kaluar ai i kishte zhvilluar 33 ndeshje dhe i kishte shënuar 10 gola e i kishte bërë 4 asistime.
Nëse Daku përfundon te Besiktas, atëherë do të plotësonte treshen sulmuese shqiptare, bashkë me Milot Rashicën e Ernest Muçin.



