Lionel Messi, ende në ndjekje të lavdisë ndërkombëtare pas gati dy dekadash karrierë, ka lënë të hapur mundësinë për të luajtur në Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ylli argjentinas tha se mosha dhe gjendja fizike do të përcaktojnë rolin e tij në përpjekjen e Argjentinës për të mbrojtur titullin e fituar në Katar.
Kapiteni i “Albiceleste” ka zgjatur kontratën me Inter Miami deri në vitin 2028, duke treguar se nuk e mendon ende pensionimin, edhe pse në qershor të ardhshëm mbush 39 vjeç.
Në një intervistë për NBC News, fituesi i tetë herë i Topit të Artë deklaroi se do të vlerësojë gjendjen e tij gjatë parasezonit të ardhshëm:
“Do të doja shumë të isha pjesë e Kupës së Botës. Është diçka e jashtëzakonshme. Do ta shoh nga dita në ditë nëse mund të jem 100% dhe i dobishëm për ekipin tim. Vetëm atëherë do të marr vendimin.”
Messi shtoi se është ende “i etur” për të përfaqësuar Argjentinën në një tjetër Botëror, sidomos pas suksesit historik të vitit 2022.
Legjenda argjentinase debutoi për Barcelonën në vitin 2004, përpara se të luante për Paris Saint-Germain dhe t’i bashkohej Inter Miamit në vitin 2023, ku ka ringjallur interesin për futbollin amerikan.
Pas shumë trofeve me klube dhe çmime individuale, Messi gjeti lavdinë ndërkombëtare me fitoren e Kupës së Amerikës 2021 dhe triumfin dramatik ndaj Francës në finalen e Kupës së Botës 2022. /AutoPortali




