Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit, Mehdi Taj, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me pjesëmarrjen e kombëtares iraniane në Kupën e Botës 2026, e cila do të mbahet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.
Në një intervistë të dhënë për portalin sportiv iranian “Varzesh3”, Taj theksoi se situata e krijuar pas sulmeve ushtarake ndaj vendit të tij ka hedhur një hije të madhe pasigurie mbi të ardhmen e përfaqësueses në Botëror.
“Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe të sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara, është e vështirë të jesh optimist për mundësinë e pjesëmarrjes në Kupën e Botës”, deklaroi ai.
Sipas tij, ngjarjet e fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në klimën sportive dhe organizative, duke e bërë të paqartë perspektivën e Iranit në këtë kompeticion madhor.
“Pas këtyre sulmeve, nuk mund të presim me shumë shpresë për Botërorin”, shtoi Taj, duke nënvizuar se situata politike dhe ushtarake ka krijuar një realitet të ri, i cili e bën të pasigurt praninë e kombëtares në turne.
Ai bëri të ditur se Federata iraniane do ta shqyrtojë me kujdes këtë çështje në ditët në vijim, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga organet më të larta sportive të vendit.
Vitet e fundit, Irani është përballur me një sërë sfidash jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë politik.
Ndër to përfshihen vështirësitë me pajisjen me viza për në Shtetet e Bashkuara, si dhe tensionet e vazhdueshme që lidhen me konfliktet më të gjera rajonale.
Të gjitha këto faktorë e bëjnë rrugëtimin drejt Botërorit edhe më të ndërlikuar për përfaqësuesen iraniane.
Në rast se situata nuk stabilizohet, rrezikohet jo vetëm pjesëmarrja e Iranit në turne, por edhe ecuria e tij në garë, ku shorti e kishte vendosur në Grupin G së bashku me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re. /AutoPortali



