Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e së martës në “Rrugën e Arbrit”, në dalje të qytetit të Peshkopisë, ku për pasojë ka humbur jetën një punonjës i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (ADZM) Dibër.
Viktima, 43-vjeçari B.S., ishte nisur drejt zonës së Lurës për të ndihmuar në shuarjen e flakëve, kur dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin që po drejtonte. Automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë disa metra poshtë saj, duke shkaktuar dëmtime të rënda, shkruan AutoPortali.
Fillimisht, B.S. është dërguar me shenja jete në spitalin rajonal të Dibrës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Policia ka njoftuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe hetimet paraprake sugjerojnë humbjen e kontrollit të mjetit si shkakun kryesor të ngjarjes.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.




