Aksident tragjik në Gjilan: Humb jetën një pasagjere pas përplasjes së dy veturave
A

Aksident tragjik në Gjilan: Humb jetën një pasagjere pas përplasjes së dy veturave

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të enjten pasdite në rrugën e Prishtinës, pranë pendës së liqenit të Livoqit në Gjilan, ku si pasojë e përplasjes mes dy veturave ka humbur jetën një pasagjere.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 të datës 17 korrik 2025. Sipas Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete me targa vendore, të drejtuara nga meshkuj kosovarë. Përplasja ka shkaktuar lëndime trupore për të dy drejtuesit dhe dy pasagjerë të tjerë, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Gjilanit, shkruan AutoPortali.

Për shkak të plagëve të rënda, njëri prej shoferëve dhe një pasagjere femër janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Fatkeqësisht, pasagjerja nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetimet rreth shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit janë në vijim.

TË FUNDIT