Në disa komuna të Kosovës u zhvillua një fushatë vetëdijësuese për sigurinë në trafik, e cila vuri në qendër komunitetet joshumicë të Kosovës, që shpesh ndihen të lëna anash në proceset edukative, shkruan AutoPortali.
Fushata u organizua nga Auto Moto Klubi i Kosovës (AMCK), me përkrahjen e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).
Duke iu adresuar barrierave gjuhësore dhe mungesës së informacionit, Fis Haliti, drejtor Ekzekutiv i AMCK-së, tha se projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin në trafik tek komunitetet jo shumicë.
“Për të realizuar këtë projekt në një periudhë afatgjatë, kemi krijuar uebfaqen ku të gjithë mund të qasen dhe të shkarkojnë fletushkën në gjuhën përkatëse. Ky projekt mbështetet nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), dhe ne si AMCK jemi kujdesur që ky plan të zbatohet me shumë kujdes. Besoj se përmes bashkëpunimit do të arrijmë të krijojmë siguri në trafik për të gjitha komunitetet në Kosovë.”

Aktiviteti nisi me një sesion të dedikuar për komunitetin rom. Koordinatori i projektit nga AMCK, Nehat Çitaku, e hapi fushatën me një mesazh të qartë.
“Siguria në komunikacion nuk duhet të jetë privilegj, por standard për të gjithë.”

Ai tha se numri i madh i aksidenteve me pasoja fatale ka kthyer trafikun në një ndër kërcënimet më serioze për jetën.
“Kemi arritur ta sigurojmë një projekt vetëdijësues që synon pikërisht këto komunitete. Fatkeqësisht, shumica e vdekjeve në trafik ndodhin për shkak të veprimeve të pakujdesshme nga vetë vozitësit.” deklaroi Çitaku.
E, trajnerja Edita Grajqevci ndau këshilla konkrete për sjellje të përgjegjshme në rrugë.
Ajo theksoi se mungesa e rripit të sigurisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe drejtimi i veturës nën ndikimin e alkoolit vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë të aksidenteve.
“Kosova, sidomos në vitin 2024, është përballur me një numër shqetësues të aksidenteve fatale. Fushata është e dedikuar për ju, për komunitetin tuaj, që të mos mbeteni jashtë informimit dhe edukimit në trafik,” tha ajo.

Një zë i fuqishëm i komunitetit rom ishte edhe qytetarja Vaide Fazliu, e cila përmes përvojës personale theksoi rëndësinë e kujdesit në çdo udhëtim.
“Burri im është ai që vozit, por unë jam gjithmonë në alarm. I them: vozit ngadalë, ruaju në semaforë, vendose rripin. Edhe pse nuk vozis vet, dua të jem e sigurt dhe dua që të gjithë të jenë të kujdesshëm. Më mirë pak më ngadalë, sesa të mos kthehesh fare.”
Në aktivitet mori pjesë edhe zyrtarja e trafikut nga Policia e Kosovës, Nefise Gashi, e cila theksoi se edukimi për sigurinë në trafik duhet të përfshijë të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie.
“Komunitetet duhet ta ndjejnë veten pjesë të barabartë të këtij edukimi. Bashkëpunimi me Policinë është i domosdoshëm për ta bërë trafikun më të sigurt për të gjithë.Nuk mjafton të jesh pjesëmarrës në trafik, duhet të jesh i vetëdijshëm.”
Sesioni i dytë iu kushtua komunitetit ashkali, ku trajneri Faton Beka theksoi se njohuritë mbi sigurinë janë jetike, sidomos në një kohë kur thuajse çdo familje ka një veturë në shtpi.
“Nuk ka shtëpi pa veturë sot. Por me veturën vjen edhe përgjegjësia. Këto trajnime janë mundësi që duhet t’i shfrytëzojmë për të kuptuar rrezikun dhe si të sillemi në mënyrë që ta shmangim atë.”

Qytetari Haki Abazi rrëfeu një përvojë personale, që sipas tij ia shtoi edhe më shumë vetëdijen për rregullat në trafik.
“Për 12 vjet nuk kam marrë asnjë dënim. Njëherë më paralajmëruan për parkim të gabuar dhe Policia vendosi të mos më dënojë pasi u tregova i sinqertë. Që nga ajo ditë, jam edhe më i kujdesshëm.”
“Edukimi është po aq i rëndësishëm sa infrastruktura”
Edhe komuniteti serb u përfshi në këtë fushatë përmes një sesioni reflektues dhe informues. Trajnerja Ivana Spasiq solli statistika shqetësuese mbi numrin e aksidenteve në Kosovë.
“Vetëm në vitin 2024 janë evidentuar mbi 22 mijë e 500 aksidente, 90 prej tyre me humbje jete. Është një trend që duhet ndalur urgjentisht.”

Qytetari Slavisha Agjanciq mirëpriti fushatën dhe theksoi se edukimi rrugor duhet të shkojë paralel me përmirësimin e infrastrukturës.
“Problemet kryesore janë mungesa e shenjave të komunikacionit, sinjalizimi i dobët, përdorimi i telefonit dhe mosvendosja e rripit. Këto janë çështje që na prekin të gjithëve.”
Ndërkohë, Dejan Javqnoviq shtoi se përveç dënimeve financiare, duhet të ketë edhe masa më të rrepta për shkelësit e rregullave të trafikut.
“Për përdorimin e telefonit dhe vozitjen nën ndikim të alkoolit, dënimet duhet të jenë më të mëdha. Madje të merren edhe pikët e patentë-shoferëve. Vetëm përmes ndërgjegjësimit të përbashkët ndalet rritja e aksidenteve.”

Në një komunë tjetër, fushata kulmoi me takimin me komunitetin turk. Trajneri Edin Kude dhe qytetarët diskutuan hapur për përvojat e tyre në trafik dhe nevojën për më shumë vetëdije.
Qytetari Mehmet Allajbeg theksoi se shkeljet më të shpeshta janë ato më bazike.
“Më së shumti më pengojnë ata që nuk vendosin rripin. Edhe grupet e njerëzve që qëndrojnë në rrugë ndikojnë keq. Prizreni është më i rregullt këtë vit, por ka ende për të bërë.”
Në diskutim u përfshinë edhe Bylent Spahija dhe Sejfi Kodra, të cilët dhanë mesazhe të forta:
“Shpejtësia është armiku kryesor,” tha Spahija.
“Në magjistralen e Ibrit kanë vdekur më shumë njerëz se në luftën e Bosnjës.”, shtoi Kodra.
Gjatë fushatës u shpërndanë fletushka informuese nëpër lagje dhe qendra të komuniteteve pjesëmarrëse, me qëllim që mesazhet të përçohen përtej sallave të trajnimeve.
Kjo nismë u mbyll me një apel të qartë, siguria në trafik fillon nga vetja. Pavarësisht gjuhës, kombësisë apo prejardhjes, secili ka përgjegjësi, dhe ajo është e përbashkët. /AutoPortali/




