Një ngjarje e rëndë është zbardhur nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë, ku falë një operacioni të koduar “Blaze”, është identifikuar dhe arrestuar një 60-vjeçar i dyshuar për djegien e qëllimshme të një automjeti.
Ngjarja ndodhi më datë 6 korrik 2025, në rrugën “Demir Zyko”, ku një automjet u përfshi nga flakët në rrethana të dyshimta. Hetimet e menjëhershme të Policisë, të mbështetura nga pamje filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë në zonë, çuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit S. Gj., 60 vjeç, banues në të njëjtën rrugë, shkruan AutoPortali.
Sipas Policisë, ky shtetas dyshohet se ka përdorur lëndë djegëse për të shkaktuar zjarr në automjetin e fqinjit të tij, shtetasit R. M., për motive të cilësuara si të dobëta.
Pas ndalimit, ndaj të dyshuarit janë kryer veprimet procedurale dhe materiali hetimor i është referuar Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Policia e Tiranës thekson vendosmërinë për të zbardhur dhe ndëshkuar çdo akt kriminal që cenon rendin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve.




