Agjencia e Statistikave e Kosovës është e bindur se regjistrimi i popullsisë nuk do të dështojë kësaj radhe. Pas disa përpjekjeve, procesi i regjistrimit do të fillojë më 5 prill, pasi siç njoftuan nga agjencia, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet.
“Janë përgatitur të gjitha instalimet e nevojshme aplikacioni për regjistrim. Të gjitha pajisjet janë bërë gati dhe jemi të gatshëm me fillu me procesin e regjistrimin, pra nuk do të ketë shtyrje”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit, raporton Gazeta Express, transmeton AutoPortali.
Për ta përmbyllur këtë proces, do të angazhohen gjithsej 3400 punonjës, prej tyre 2500, si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës.
“Janë disa persona, por ata ne i kemi kontaktuar dhe u kemi thënë se nëse nuk përzgjidheni të punoni si mbikëqyrës, a pranoni të punoni si regjistrues, disa prej tyre kanë pranuar e disa të tjerë jo”, tha Shala.
Pa treguar për shumën që do të paguhen, menaxheri i projektit thotë se punëtorët e përzgjedhur do të angazhohen me kontratë 2-mujore. Një proces i tillë konsiderohet i domosdoshëm, meqë krijon pabarazi në ndarjet buxhetore për komunat, e rrjedhimisht lë edhe pasoja të tjera.
“Kjo krijon probleme infrastrukturore, po ashtu edhe planifikimet në investime kapitale, në shërbime komunale. Megjithatë, jo vetëm pjesa infrastrukturore, por edhe buxhetimi i pagave për mësimdhënës bëhet në bazë të numrit të nxënësve që janë në atë komunë”, tha Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.
Agjencia nuk tregoi se sa do të kushtojë i gjithë procesi, megjithatë si ndihmë për të, qeveria të martën ndau 120 mijë euro. Procesi i regjistrimit do të përmbyllet më 17 maj.