Në botën moderne të automobilizmit, ku elektrifikimi dhe kursimi janë kthyer në dogma, duket thuajse e pabesueshme se vetëm 16 vite më parë, Audi vendoste një motor Lamborghini me 10 cilindra në hundën e një A6. Por kjo është pikërisht ajo që ndodhi me gjeneratën e dytë të Audi RS6 një makinë që nuk i bindej asnjë norme dhe që sfidoi me krenari logjikën dhe fizikën.
Fillimisht, RS6 i parë përdorte një motor V8 me dy turbo 4.2 litra, i aftë të transformonte një karavan familjar në një raketë me rrota. Por konkurrenca nuk flinte: AMG solli motorin 6.2 litra natyral, ndërsa BMW M5 Touring u pajis me një V10 që ulërinte deri në 8,000 rpm dhe prodhonte 503 kuaj fuqi, shkruan TopGear, transmeton AutoPortali.
Divizioni RS i Audi-t nuk mund të rrinte pas. Zgjidhja? Një motor V10 5.0 litra, i huazuar dhe përmirësuar nga Lamborghini jo një herë, por dy herë duke arritur 572 kuaj fuqi dhe 650 Nm çift rrotullues. Një shifër marramendëse për një makinë që në thelb duhej të dërgonte fëmijët në shkollë dhe të bënte pazarin.
Por pozicionimi i këtij motori i dha RS6 një karakter unik dhe jo gjithmonë në mënyrën më të mirë. V10-shi ishte i vendosur përpara rrotave të përparme, duke e kthyer shpërndarjen e peshës në një imitim të çekikut të Thorit: i rëndë përpara, i ndjeshëm në manovrim. Drejtimi ishte më tepër i rëndë dhe i ngadaltë sesa i mprehtë, dhe kthesat për të ishin më shumë pengesa sesa terren loje.
Por në vijë të drejtë? Një bishë. E çliruar nga kufizuesit e shpejtësisë, RS6 mund të arrinte 320 km/h. Jo me dhunë, jo me arrogancë, por me një përshpejtim të heshtur dhe një gumëzhimë të lehtë nga V10-shi deri sa të kuptoje që ke kaluar 190 km/h pa asnjë paralajmërim për trupin tënd.
Sot, ky RS6 është një relike e një epoke të papërsëritshme. Mund ta blesh për një çmim të volitshëm, por mirëmbajtja e tij mbetet një histori më vete: konsum i lartë karburanti, taksa të kripura, dhe servise të shtrenjta për një motor që shumë mekanikë do të donin të mos e shihnin kurrë më.
E megjithatë, RS6 V10 mbetet i veçantë. Një superkaravan diskret, i udhëhequr nga një zemër Lamborghini, që nuk do të përsëritet më kurrë. Sepse sot, asgjë nuk prodhohet më si dikur.



