Audi S6 me targa zvicerane kryen tejkalim të rrezikshëm në Gjilan, shoferi gjobitet nga Policia
A

Audi S6 me targa zvicerane kryen tejkalim të rrezikshëm në Gjilan, shoferi gjobitet nga Policia

Një veprim i rrezikshëm në komunikacion ka sjellë masa të menjëhershme nga Policia e Kosovës, pasi një shofer me automjet Audi S6 me targa zvicerane (TG) ka kryer një tejkalim të parregullt përmes trotuarit, duke vënë në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

Ngjarja ka ndodhur në një udhëkryq në qytetin e Gjilanit, ku shoferi në fjalë ka kaluar në mënyrë të kundërligjshme nga ana e djathtë, duke përdorur trotuarin si rrugë kalimi.

Veprimi i tij është regjistruar në video nga qytetarët dhe mediat lokale, dhe pamjet janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale. Kjo ndihmoi Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor që të identifikojë shpejt shoferin, ndaj të cilit është shqiptuar gjobë në përputhje me ligjin mbi rregullat e trafikut rrugor, shkruan AutoPortali.

Policia ka bërë të ditur se, në bazë të marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, rasti do t’i përcillet autoriteteve përkatëse zvicerane për trajtim të mëtejmë ligjor.

“Veprimet e tilla jo vetëm që shkelin ligjin, por paraqesin rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë rrugore dhe do të reagojë pa hezitim ndaj çdo shkeljeje të ngjashme,” thuhet në reagimin zyrtar.

 

TË FUNDIT