Një autobus i Flixbus doli nga rruga në autostradën 19 në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, në Gjermaninë veriore, dhe u përmbys.
Sipas një zëdhënësi të policisë në orët e para të mëngjesit, 20 pasagjerë u plagosën, njëri prej tyre rëndë.
Pasagjeri i plagosur rëndë mbeti i bllokuar për dy orë para se të lirohej. Zëdhënësi fillimisht nuk ishte në gjendje të jepte informacion për shkallën e lëndimeve të pasagjerëve të tjerë.
Autobusi kishte 53 pasagjerë dhe dy shoferë në bord dhe ishte në rrugë për në Vjenë nga Kopenhaga, raportojnë mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.
Aksidenti ndodhi rreth orës 2:40 të mëngjesit, në nyjën e Röbel, në drejtim të Berlinit. Autobusi fillimisht doli nga rruga në anën e djathtë dhe më pas u përmbys. Shkaku i aksidentit ende nuk dihet.
Autostrada është aktualisht plotësisht e mbyllur në drejtim të Berlinit.
Shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit janë aktivizuar, përcjell AutoPortali.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar edhe oficerë nga njësitë e autostradave në Dummerstorf dhe Linstow, si dhe nga Plau am See.




