Red Bull e ka nisur në mënyrën më të mire kampionatin e ri në Formula 1, por situata brenda skuadrës duket se është shumë e tensionuar.
Babai I pilotit Max Verstappen, Jos, ka paralajmëruar probleme serioze nëse nga skuadra nuk largohet drejtori Chris Horner.
“Këtu ka tension për sa kohë që Horner mbetet në detyrë”, ka thënë për Daily Mail, Verstappen senior.
“Ekipi rrezikon të përçahet. Nuk mund të vazhdohet kështu. Do të shpërthejë. Ai luan viktimën, ndërsa është ai që shkakton problemet”.
Kur u pyet nëse familja Verstappen është ajo që drejton “frymën” anti-Horner, Jos u përgjigj: “Nuk do të kishte kuptim ta bëja këtë. Pse do ta bëja kur Max po ia del kaq mirë në këtë ekip”.
Rasti i drejtorit të ekipit të Red Bull, për disa mesazhe seksuale drejtuar një punonjëse u bënë publike në një email të zbuluar të enjten.
Gjithsesi, në prag të garës së radhës, e cila mbahet në Jeddah të Arabisë Saudite, atmosfera te Red Bull nuk është aspak e mirë.