FC Barcelona ka nisur hapat e parë për zgjatjen e kontratës së trajnerit Hansi Flick.
Sipas raportimeve, kampionët e La Ligës i kanë ofruar trajnerit gjerman një vazhdim kontrate për të paktën edhe një sezon, duke e lidhur atë me klubin deri në qershor të vitit 2028, raporton BILD.
Qëllimi i departamentit sportiv është stabilizimi i projektit me Flick në krye, duke siguruar që ai të mos nisë sezonin e ardhshëm me vetëm një vit të mbetur në kontratë.
Plani është që rinovimi të jetë afatshkurtër, pasi trajneri nuk është tifoz i marrëveshjeve të gjata.
Flick ka treguar rezultate të shkëlqyera që kur mori drejtimin e Barçës, duke ringjallur skuadrën edhe me investime minimale në merkato.
Nën drejtimin e tij, Barcelona ka fituar trofe të rëndësishëm, ka përmirësuar rendimentin krahasuar me periudhën e Xavi Hernándezit dhe ka dhënë hapësirë për zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Megjithë disa tensione të brendshme gjatë sezonit, trajneri 60-vjeçar ndihet i motivuar dhe mbështetet plotësisht nga dhoma e zhveshjes dhe bordi drejtues.
Drejtori sportiv Deco po punon për të shmangur situatat ku figura kyçe e skuadrës ka vetëm një vit të mbetur në kontratë, ndërsa takimet e fundit me agjentin e Flickut, Pini Zahavit, kanë shërbyer për të hapur rrugën për rinovimin.
Klubi synon të sigurojë kontratën e re përpara zgjedhjeve presidenciale, duke e konsideruar gjermanin një figurë konsensuale.
Trajneri e ka bërë të qartë se nuk preferon kontrata afatgjata, dhe një rinovim njëvjeçar mund të jetë i fundit i tij me Barcelonën.
Barcelona mbetet e vendosur që Flick të vazhdojë të jetë pjesë e projektit afatmesëm, ndërsa tani mbetet për t’u parë nëse trajneri do të pranojë ofertën dhe do të qëndrojë deri në vitin 2028. /AutoPortali



