Bayer Leverkuseni është duke kaluar një periudhë të shkëlqyeshme. Në 24 javët e kampionatit gjerman, “Farmaceutët” nuk kanë pësuar humbje asnjë humbje. Me 20 fitore e katër barazime, me 64 pikë, ata e kryesojnë renditjen me 10 pikë më shumë se Bayern Munih.
Ndër futbollistët më të rëndësishëm të Leverkusenit padyshim që është Granit Xhaka.
Skuadra e trajnerit Xabi Alonso, në fundjavën që shkoi fitoi ndaj Kolnit, duke bërë një hap të madh drejt titullit.
Mirëpo, Xhaka është i vetëdijshëm se ende nuk ka përfunduar asgjë.
“Është mirë dhe mund të jemi krenarë me atë që kemi bërë, por asgjë nuk është fituar ende”, tha Xhaka për Archie Rhind-Tutt të ESPN menjëherë pas fitores ndaj Kolnit.
“Po flas nga përvoja ime që kam pasur sezonin e kaluar. Mendoj se ishin pikë të ngjashmenë krahasim me të dytin dhe ne nuk e fituam ligën”, ka kujtuar Xhaka përvojën e vitit të kaluar me Arsenalin.
“Përvojën time e ndaj me bashkëlojtarët edhe në dhomën e zhveshjes. Sigurisht dhjetë pikë janë shumë në futboll, por kur të mbeten dhjetë ndeshje. Por të kesh dhjetë pikë epërsi dhe 30 pikë të tjera që mund të marrësh, nuk ka mbaruar ende asgjë”, ka thënë Xhaka.
31-vjeçari ka qenë në situatë të njëjtë vitin e kaluar, kur Arsenali ishte 10 pikë para Manchester Cityt në këtë fazë të garave, por pastaj e humbën titullin.
“Me siguri edhe ata e dinë, sepse po më pyesin çdo ditë: ‘Ke qenë në këtë situatë… si ishte dhe çfarë ndodhi?. Unë përpiqem të shpjegoj, por nuk mund të shpjegosh me fjalë. Duhet ta ndjesh”.
“Le të qëndrojmë të përulur, të punojmë ditë pas dite siç po bëjmë gjatë gjithë sezonit dhe le të llogarisim dhe të shohim se ku jemi pas 34 ndeshjeve”, ka shtuar mesfushori shqiptar.
Krejt në fund Xhaka falënderoi tifozët e Leverkusenit për mbështetjen e vazhdueshme që kanë treguar gjatë gjithë sezonit.