Bashkimi Evropian po përgatit një hap të ri në politikën e tij klimatike, duke diskutuar mundësinë që shtetet anëtare të blejnë kredite karboni nga vendet në zhvillim për të ndihmuar në përmbushjen e objektivave të uljes së emetimeve deri në vitin 2040.
Ky propozim, i mbështetur nga Komisioneri për Klimën Wopke Hoekstra, pritet të diskutohet në takimin e radhës të shteteve anëtare, transmeton AutoPortali.
BE synon të arrijë një reduktim prej 90% të emetimeve të dioksidit të karbonit krahasuar me nivelet e vitit 1990 dhe të përmbushë objektivin e arritjes së neutralitetit klimatik në mes të shekullit.
Në këtë kuadër, blerja e kredive të karbonit do të jetë një opsion për të mbështetur projekte të gjelbra jashtë BE-së, si mbjellja e pemëve apo restaurimi i pyjeve në vende të tilla si Afrika dhe Amerika Latine, shkruan The Guardian.
Megjithatë, ky propozim ka shkaktuar reagime të forta nga grupet mjedisore që e kundërshtojnë përdorimin e kredive si një mënyrë për të shmangur përgjegjësitë klimatike brenda vetë BE-së. Mbi 130 organizata kanë shprehur “shqetësim ekstrem” se kjo mund të dobësojë përpjekjet për ulje të emetimeve në nivel vendor dhe të dëmtojë reputacionin e BE-së si lider klimatik.
Komisioneri Hoekstra ka theksuar rëndësinë e sistemit të integruar të verifikimit të kredive për të siguruar që këto masa të sjellin ulje reale dhe shtesë të emetimeve. Ai shtoi se planet e BE-së nuk do të zëvendësojnë angazhimet e brendshme, por do të jenë një shtesë për të ndihmuar në luftën globale ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndërsa disa vende anëtare, duke përfshirë Francën, shprehin dyshime dhe kërkojnë që objektivat të mos lidhen drejtpërdrejt me kontributet ndërkombëtare, Komisioneri Hoekstra shprehu optimizëm për arritjen e marrëveshjes dhe përmbushjen e objektivave para samitit të rëndësishëm klimatik COP30 në Brazil. /AutoPortali



