Belgjika ka shënuar fitoren e parë në EURO 2024, duke mposhtur Rumaninë me rezultat 2-0.
Belgët arritën të marrin avantazhin që në minutën e dytë të takimit përmes Youri Tielemans, i cili me një goditje nga distanca realizoi një gol të bukur për 1-0.
Vetëm një minutë më vonë Rumania pati një rast të artë shënimi me Radu Dragusin, por gjuajtja e tij me kokë u prit për mrekulli nga Koen Casteels.
Një tjetër rast të mirë shënimi e pati edhe Belgjika me anë të Jeremy Doku, por portieri rumun e priti me shumë mund gjuajtjen e tij.
Në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i Belgjikës, ku arritën të shënojnë edhe golin e dytë, i cili konfirmoi fitoren e tyre të parë në EURO 2024.
Goli i qetësisë për belgët erdhi në minutën e 80-të ku pas një pasimi të mrekullueshëm nga portieri Casteels, De Bruyne arriti ta mposhtë portierin rumun duke shënuar në cepin e djathtë të portës për 2-0.
Me këtë fitore Belgjika shkon në kuotën e tri pikëve ndërsa ndeshjen e fundit në fazën e grupeve do ta luajë ndaj Ukrainës, ndërsa Rumania do të përballet me Sllovakinë.



