Një agjenci europiane që monitoron zjarret, raporton se këtë vit janë djegur 2800 hektarë pyje dhe kullota. Dëmi monetar për këtë sipërfaqe llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro.
Zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë këtë vit kanë djegur deri më tani 2800 hektarë pyje dhe kullota, transmeton AutoPortali.
Sipas të dhënave të European Forest Fire Information System që monitoron gjendjen e zjarreve në Europë dhe përpunon statistika, pjesa më e madhe e këtyre zjarreve kanë rënë pranë qyteteve të Vlorës dhe Lezhës.
Sipas vlerësimit, dëmi ekonomik i llogaritur me formulën standard, është afërsisht 16.75 milionë euro deri në këtë moment, shkruan Euronews.
Edhe pse jemi në gjysmën e parë të vitit, dëmi ekonomik është më i vogël në raport me vitin 2024, kur zjarret shkaktuan dëme që kapën vlerën e rreth 280 milionë eurove në pyje dhe kullota.
Madje, viti 2024 konsiderohet një vit katastrofik, si për numrin e zjarreve, ashtu edhe për dëmin ekonomik që ato shkaktuan gjatë 15 viteve të fundit, sipas agjencisë europiane.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë angazhuar intensivisht në monitorimin dhe parandalimin e zjarreve në vend. Për mbështetjen e ndërhyrjes në terren, ministria ka aktivizuar 64 automjete zjarrfikëse dhe drone patrullues.



