Resortet malore në Jahorinë dhe Bjelasnicë, pranë Sarajevës, kanë nisur të zgjerojnë ofertën turistike verore pas disa sezoneve dimërore me pak dëborë.
Vetëm pak orë larg bregdetit të Mesdheut, këto destinacione në lartësi mesatare tradicionalisht të varura nga sportet e dimrit po përshtaten gradualisht për të tërhequr vizitorë gjatë gjithë vitit.
Megjithëse Bosnja nuk njihet për statistika të sakta, zyrtarët turistikë thonë se trendi është i qartë, shkruan Euronews, transmeton AutoPortali.
“Dikur mbështeteshim tek bora, por sot është e qartë se ajo bie e grumbullohet mbi 2.500 metra lartësi – dhe malet tona nuk e arrijnë këtë,” tha Haris Fazlagiq, kryetar i Bordit të Turizmit të Sarajevës.
Sipas tij, zgjerimi i ofertës verore mund të tërheqë turistë që duan të shmangin vapën dhe çmimet e larta të pushimeve bregdetare në Kroaci e Mal të Zi. “Ky është e ardhmja e turizmit,” shton ai, duke theksuar se strategjia është afatgjatë.
Pas disa dimrave me pak borë, që nga viti 2017 Jahorina dhe Bjelasnica – të cilat mikpritën Lojërat Olimpike Dimërore 1984 kanë shtuar aktivitete verore. Përveç funksionimit të teleferikëve gjatë gjithë vitit për pamje panoramike, po zgjerojnë rrjetin e shtigjeve për ecje, biçikleta dhe automjete ATV.
“Këtu moti është fantastik, aspak i nxehtë,” tha Duško Kurtoviq, vizitor nga qyteti boshnjak Doboj, ndërsa shijonte një shëtitje në Jahorinë. Temperaturat në zonë zakonisht variojnë nga 24 deri në 30 gradë Celsius një lehtësim për turistët krahasuar me vapën deri në 40 gradë në bregdetin e Europës Qendrore e Lindore.
Edhe pse biznesi po rritet në malet pranë Sarajevës, fitimet mbeten larg atyre të destinacioneve bregdetare si Kroacia, ku turizmi zë deri në 20% të PBB-së. Vetëm pesë orë larg, Dubrovniku po përballet me tejmbushje turistësh dhe ka vendosur kufizime për anijet turistike dhe trafikun në Qytetin e Vjetër.
Pavarësisht strategjive të ndryshme që po imponon ndryshimi klimatik, Bosnja dhe Kroacia ndajnë të njëjtin synim: zgjatjen e sezonit turistik dhe shndërrimin në destinacione të vizitueshme gjatë gjithë vitit. /AutoPortali



